Lajme

Tre zyrtarë të gjykatave në Ferizaj e Gjakovë dhe një avokat arrestohen për keqpërdorim të detyrës

11/24/2026 17:14
nga:Genita C

Tre zyrtarë të gjykatave në Ferizaj dhe Gjakovë dhe një avokat janë arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe bashkëkryerje lidhur me një vendim gjyqësor dhe çështje të punësimit.

Policia e Kosovës njoftoi se mëngjesin e sotëm nisi zbatimin e urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Korrupsionit (DHKEK-SHK), në koordinim edhe me Prokurorinë Themelore në Prishtinë me datë 24.11.2026 rreth ora 08:50, ka filluar me realizimin e urdhrit për kontroll nga Gjykata Themelore Prishtine, në dy lokacione te ndryshme ne rajonin e Ferizajt”, thuhet në njoftim.

“Veprimet operacionale vijnë pas hetimeve të zhvilluara për një kohe të gjatë, me ç ‘rast tre persona të dyshuar, në pozita dhe role të ndryshme zyrtare si zyrtar të Gjykatës në Ferizaj dhe Gjakovë, si dhe një avokat, dyshohen se kanë konsumuar veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-se, “Ushtrim i ndikimit” nga neni 242 i KPRK-se dhe nga neni 31 “Bashke kryerja”, duke ushtruar ndikim ne proces-afatet kohore te shpalljes se vendimeve gjyqësore dhe çështje te punësimit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë kontrollit, Policia tha se ka sekuestruar 4 telefona, dy shtëpiza PC, si dhe “dokumentacion relevant për nevoja te hetimeve”

“Personat e dyshuar janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të PTH Prishtinë ndalohen për 48 orë”, thuhet në fund të njoftimit.