Sporti

Tifoz me Interin, aktori i njohur kosovar Ernest Zymberi optimist i madh para finales së Ligës së Kampionëve

06/08/2023 17:21
nga:Mergim Rreci

Inter dhe Manchester City do të përballen në finalen e Ligës së Kampionëve më 10 qershor në Stamboll, me synimin për të ngritur lart trofeun më të rëndësishëm evropian për klube.

“Citizens” u hakmorën ndaj Realit të Madridit për eliminimin e një viti më parë, duke siguruar finalen e kompeticionit për herë të dytë në harkun e tre viteve, kurse Interi e mposhti Milanin në dy ndeshjet e gjysmëfinales.

Manchester City shkon kështu në finale, ku do të kërkojë triumfin, për të kompletuar “tripletën” e famshme, në anën tjetër, Interi kërkon lavdinë në krye me ekspertin e finaleve, Simone Inzaghi.

Skuadra e Interit njihet me numrin e madh të tifozëve që ka në vendin tonë dhe njëri prej tyre është edhe aktori shumë i njohur kosovar, Ernest Zymberi.

Zymberi është tifoz me skuadrën e Interit prej vitesh, duke shikuar ndeshje edhe nga afër në stadiumin ‘Giuseppe Meazza’.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ai ishte optimist për fitoren e madhe të ‘Neruazzurëve’, duke parashikuar një fitore në penallti.

Interi është i vetëdijshëm për formën, lojën dhe kapacitetet e Manchester Cityt, por Manchester City nuk e di se çfarë do të thotë të fitohet një finale të Ligës së Kampionëve dhe këtu është dallimi i madh. Parashikoj një barazim 1 me 1 gjatë 120 minutave, kurse një fitore të Interit në penallti“, tha Zymberi për ‘GazetaBlic Sport’.

Kujtojmë se Interi e ka fituar Ligën e Kampionëve për herë të fundit në edicionin e vitit 2010, atë botë duke shkëlqyer nën urdhërat e trajnerit Jose Mourinho.

/GazetaBlic Sport/