Lajme

Themelorja hedh poshtë aktakuzën ndaj 6 zyrtarëve lidhur me projektin e rrugës Prizren-Prevallë, ia konfirmon Reçicës dhe dy të tjerëve

02/16/2024 17:00
nga:Sh R

Prishtinë-Gjykata Themelore në Prishtinë, ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj Zymer Abdullahut, Jetmir Alajt, Emir Morinës, Blerim Dinës, Nuhi Paçarizit dhe Muhamet Gashit, të cilët akuzoheshin për korrupsion lidhur me projektin e rrugës Prizren-Prevallë.

Nga vendimin e siguruar që “Betimi për Drejtësi”, thuhet se janë aprovuar kërkesat e mbrojtësve të të pandehurve të lartcekur, pasi që Prokurori nuk ka arritur të dëshmoi se të njëjtit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkoheshin.

Ndërkaq, sipas këtij vendimi është refuzuar kërkesa e mbrojtësve të të akuzuarve, Betim Reçica Valmira Bllaca dhe Izedin Bytyqi, lidhur me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar dhe Bllaca edhe për veprën penale falsifikim të dokumentit zyrtarë.

Gjithnjë sipas këtij vendimi, për të akuzuarit Abdullahu, Alaj, Morina, Dina, Paçarizi dhe Gashi PSRK nuk ka ofruar prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit janë të përfshirë në vepra penale të korrupsionit.

Në vendimin e Themelores thuhet se, për tu konsideruar se është kryer vepra penale e keqpërdorimit duhet të jetë shpërdorur detyra zyrtare dhe se personat e akuzuar t’í kenë tejkaluar kompetencat zyrtar, e që sipas gjykatës në këtë rast nga provat del se këto dy kritere nuk janë plotësuar.

Sipas gjykatës, PSRK gabimisht ka vlerësuar se i akuzuari Abdullahu kishte tejkaluar kompetencat, pasi që veprimet e tij ishin ndërmarrë me autorizim nga i akuzuari tjetër Betim Reçica.

Edhe për të akuzuarit Alaj dhe Morina sipas gjykatës, PSRK gabimisht ka vlerësuar veprimet e ndërmarra nga ta pasi që të njëjtit kanë nxjerr raport vlerësues për të gjithë operatorët ekonomik, duke munguar kështu edhe tek ta elementi objekti i veprës penale.

Gjithashtu edhe për të akuzuarit Dina dhe Paçarizi, sipas gjykatë PSRK gabimisht i ka vlerësuar veprimet e ndërmarra nga ta pasi që nga analizim i provave del se vendimi i tyre për t’í hudhur ankesa e operatorëve ekonomik nuk mund të vlerësohet nga eksperti i prokurimit se OSHP-ja ka nxjerr vendim të duhur apo jo.

Tutje, në vendimin e Themelores thuhet se nuk është vërtetuar as për të akuzuarin Gashi se ishte përfshirë në veprën penale, keqpërdorim i pozitës zyrtare, pasi që për nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e rrugës Prizren-Prevallë i njëjti në cilësinë e zëvendësministrit e kishte autorizimin e ministrit të Infrastrukturës, i cili në atë kohë ishte Arban Abrashi.

Ndërkaq, sipas gjykatës kërkesa për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave nga mbrojtësit e të akuzuarve Reçica, Bllaca dhe Bytyqi janë të pabazuara, pasi që nuk është provuar se është siguruar ndonjë provë jashtëligjshëm nga PSRK dhe se ka argumente të mjaftueshme për veprën penale me të cilën ngarkohen ata.

Në këtë rast i akuzuar është edhe Goran Milenkoviq, por në seancën e 17 tetorit 2023 gjykata kishte bërë veçimi i procedurës ndaj tij për shkak se i njëjti nuk ishte i pranishëm në atë seancë, me ç’rast për të ishte lëshuar edhe fletërreshtim ndërkombëtar.

Dhjetë zyrtarët ngarkohen se duke filluar nga 10 maji 2019 deri më 4 shtator 2020 në Prishtinë, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, si dhe duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, Ligjin për ndarjen buxhetore të vitit 2019, Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë ligjore.

Me veprimet e tyre, të pandehurit sipas Prokurorisë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe i shkaktuan dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 12,493,583.97 euro, si dhe dëm material dhe jomaterial operatorëve ekonomikë tjerë të cilët në kushte të barabarta do të mund të aplikonin.

Dosjen e plotë ndaj 10 të akuzuarve për këtë rast mund ta gjeni KËTU. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.