Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të punojë për krijimin e një koalicioni funksional dhe për zgjedhjen e presidentit, raporton GazetaBlic.
“E inkurajoj kryeministrin Kurti të tregojë burrështetësi për të ndërtuar një koalicion funksional dhe për të siguruar zgjedhjen e presidentit”, ka shkruar Terras në platformën X.
“Kosovës i duhen institucione stabile për të avancuar në rrugën drejt BE-së”, ka shtuar ai.
Terras, i cili qëndroi të martën në Kosovë, zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve dhe liderë të partive politike, ndërsa tha se gjatë tyre u diskutua për zhvillimet politike dhe rrugën evropiane të Kosovës.
“Këtë mëngjes u takova me Albulena Haxhiun, Glauk Konjufcën dhe Bedri Hamzën. Diskutuam për politikën në Kosovë dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian. E ardhmja e Kosovës qëndron në Bashkimin Evropian, por anëtarësimi kërkon reforma. Ne po punojmë për këtë”, ka shkruar Terras


