Tahiri në Kuvend vendos një vizatim të skemës së institucioneve përgjegjëse për shërbimin civil

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, ka vendosur një fotografi para foltores, përmes së cilës ka ilustruar rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve në përzgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve publikë.

Tahiri, duke iu referuar skemës së paraqitur, ka shpjeguar raportin ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Kuvendit dhe Këshillit të Pavarur, të cilin e cilësoi si institucion që përfaqëson interesat e rreth 82 mijë të punësuarve në Shërbimin Civil.

“Ky këshill është gjykata e 82 mijë të punësuarve në Shërbimin Civil. Nëse e shihni poshtë trekëndëshin, e keni një institucion që është Qeveria e Kosovës, e cila është përgjegjëse për rekrutimin e shërbyesve civilë, por në të njëjtën kohë edhe për emërimin dhe përzgjedhjen e anëtarëve të agjencive të ndryshme ekzekutive”, deklaroi Tahiri.

Ai theksoi se Kuvendi i Kosovës ka përgjegjësinë për zgjedhjen e zyrtarëve të lartë publikë në institucionet e pavarura, ndërsa në krye të skemës së paraqitur vendosi Gjykatën, respektivisht Këshillin e Pavarur.

Ai para deputetëve paraqiti edhe kontestimet e tij lidhur me këtë proces dhe vendimin për shkarkimin e anëtarëve.