Lajme

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër- Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

04/26/2024 09:49
nga:Y I

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit, i cili ditë më parë me forcë e kishte futur në veturën e saj një grua, gjersa ka kanosur edhe një vozitës tjetër.

Rasti kishte ndodhur të mërkurën në Prishtinë, në ora 12:30.

E nga Prokuroria Themelore e Prishtinës bëhet e ditur për Telegrafin se ndaj të dyshuarit është ngritur aktakuzë me propozimin për caktimin e masës së paraburgimit, pranë gjykatës kompetente.

Ai dyshohet për veprat penale “Kanosja”, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Ndërkaq, lidhur me rastin kishte njoftuar edhe Policia e Kosovës.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se kishte dëmtuar veturat e ankueses femër kosovare dhe të ankuesit mashkull kosovar, ku më pas ankuesen me forcë e kishte futur në veturën e saj, ndërsa ankuesin e kishte kanosur”, thuhej në raportin policor.