Lajme

“Skenar i parapërgatitur” – Haxhiu: Kurti dhe Osmani duan zgjedhje në fundvit për të shfrytëzuar votën e diasporës dhe për t’i shpëtuar humbjes së thellë

11/20/2025 16:45
nga:Sh R

Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar lidhur me zhvillimet politike në vend, duke thënë se ekziston një skenar i parapërgatitur nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani për ta çuar Kosovën në zgjedhje gjatë festave të fundvitit, me qëllim, sipas tij, që vota e diasporës t’i shmangë nga një humbje e thellë, raporton GazetaBlic.

Haxhiu thekson se disa ditë më parë, përmes një postimi, kishte paralajmëruar se ekziston nëj skenar i tillë i parapërgatitur nga Kurti dhe Osmani.

Postimi i plotë:

Me 04.11.2025 kam treguar se ekziston një skenar i parapërgatitur nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani për ta çuar vendin në zgjedhje gjatë festave të fundvitit, me idenë se vota e diasporës mund t’i shpëtojë nga humbja e thellë në zgjedhje.

Të mërkurën vendoset drejtimi i shtetit!

Të mërkurën pritet të sqarohet rruga që do ta përcaktojë fatin e Kosovës:

1. Rruga e shtetit dhe përgjegjësisë institucionale, apo

2. Rruga e pushtetit personal dhe bllokadës politike të binomit Kurti & Osmani.

Nëse zgjedhjet shpallen pas 5 nëntorit, ato mund të mbahen më 7 ose 14 dhjetor 2025, duke i mundësuar Kuvendit që në shkurt 2026 të miratojë Buxhetin e shtetit dhe të shmanget kolapsi financiar.

Por nëse Presidentja Vjosa Osmani ia jep mandatin LVV-së pa dëshmuar shumicën prej 61 nënshkrimesh, zgjedhjet do të mbahen më 28 dhjetor 2025 ose 4 janar 2026, duke e futur Kosovën në një periudhë kolapsi institucional e buxhetor, vetëm për të ruajtur karriget e pushtetit.

Ky është një skenar i planifikuar me kohë nga Kurti e Osmani, për ta zgjatur me çdo kusht pushtetin personal.

Kosova sot ka nevojë për vendimmarrje të përgjegjshme, për institucione që mendojnë për qytetarin dhe shtetin, jo për kalkulime politike që e rrezikojnë stabilitetin dhe të ardhmen e vendit!