Lajme

Shpërthen vullkani më i madh aktiv në botë

11/29/2022 07:17
nga:G B

Vullkani më i madh aktiv në botë, Mauna Loa i Havait, ka shpërthyer për herë të parë në pothuajse 40 vjet.

Rrjedha e llavës është kryesisht e kufizuar brenda zonës, por banorët janë vënë në gatishmëri dhe janë paralajmëruar më herët për rrezikun e rënies së hirit.

Shërbimi Gjeologjik i ShBA-së (USGS) ka thënë se situata mund të ndryshojë me shpejtësi.

Asnjë urdhër evakuimi nuk është lëshuar dhe zonat e populluara nuk ka gjasa të preken në këtë fazë, thonë zyrtarët e emergjencës.

Mauna Loa, e vendosur brenda Parkut Kombëtar të Vullkaneve të Havait, mbulon gjysmën e ishullit të madh të shtetit amerikan. Vullkani ngrihet 4,169 metra mbi nivelin e detit dhe përfshin një sipërfaqe prej më shumë se 5,179 kilometra katrore.

Një këshillë për reshjet e hirit – që mund të ndotin furnizimet me ujë, të vrasin bimësinë dhe të irritojnë mushkëritë – ishte në fuqi për zonën përreth gjatë natës, por që atëherë është hequr.

“Bazuar në ngjarjet e kaluara, fazat e hershme të një shpërthimi Mauna Loa mund të jenë shumë dinamike dhe vendndodhja dhe përparimi i rrjedhave të lavës mund të ndryshojnë me shpejtësi”, tha USGS.

Nëse shpërthimi migron përtej mureve, rrjedhat e lavës mund të “lëvizin me shpejtësi poshtë shpatit”, shtoi ai.

Sipas USGS, Mauna Loa ka shpërthyer 33 herë që nga viti 1843.

Agjencia e Mbrojtjes Civile e Havait ka paralajmëruar se banorët mund të përballen me një “katastrofë llave”.

Ajo paralajmëroi se rrjedhat e llavës përbënin rrezik për Hilo dhe Kona, një tjetër qendër e madhe e popullsisë, duke shtuar se gazrat vullkanike mund të shkaktojnë probleme me frymëmarrjen për banorët vendas.

Mauna Loa është vullkani më i madh aktiv në botë. Ka vullkane të tjera më të mëdha, por këto janë klasifikuar si të fjetur, që do të thotë se nuk kanë shpërthyer për një kohë të gjatë, ose janë shuar, që do të thotë se janë pothuajse të sigurt se nuk do të shpërthejnë në të ardhmen