Në Gjykatën e Apelit të enjten u elaboruan ankesat ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila edhe në rigjykim e ka dënuar me 10 vjet burgim të akuzuarin Shaqir Lutvija, lidhur me akuzën për krime lufte në Prizren. Mbrojtja kërkoi që Lutvija të lirohet nga akuza ose t’i zbutet dënimi, në anën tjetër Prokuroria e Apelit kërkoi t’i vërtetohet dënimi me 10 vjet burgim.
Në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 korrik 2026 e dënoi Lutvijën sërish me 10 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kolegji i Gjykatës së Apelit u kryesua nga gjyqtari Ferit Osmani, me gjyqtar referues Mentor Bajraktarin dhe anëtare Albina Shabani-Ramën.
Gjyqtari referues Bajraktari tha se mbrojtja e të akuzuarit ka paraqitur ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal, si dhe lidhur me vendimin për sanksionin penal dhe paraburgimin, duke kërkuar lirimin nga akuza apo zbutjen e dënimit.
Në seancë prezente ishte edhe prokurorja e Apelit, Sabahate Hoxha-Pepaj e cila deklaroi se i qëndron mbrapa parashtresës zyrtare në të cilën i ka propozuar kolegjit të Apelit që ankesa e mbrojtjes të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i Themelores të konfirmohet.
Mbrojtësja e të akuzuarit Shaqir Lutvija, avokatja Jovana Filipoviq, deklaroi se Gjykata Themelore ka bërë shkelje të rënda procedurale pasi nuk i ka zbatuar udhëzimet e dhëna më parë nga Gjykata e Apelit me rastin e kthimit të lëndës në rigjykim.
“Gjykata e shkallës së parë dukshëm nuk e ka kuptuar ose nuk ka dashur t’i kuptojë udhëzimet tuaja. Asnjë udhëzim i juaj nuk është respektuar gjatë procedurës së shkallës së parë”, tha Filipoviq.
Ajo sqaroi se gjykata e shkallës së parë nuk ka vepruar konform nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale dhe ka refuzuar administrimin e provave të nevojshme të propozuara nga mbrojtja.
Avokatja Filipoviq tha se procedura e identifikimit të të akuzuarit përmes fotografive, është kryer në kundërshtim me nenin 116 të KPP-së.
Sipas mbrojtjes, meqenëse dëshmitarët kishin përmendur se kryerësi kishte një nishan në fytyrë, ligji kërkonte që në albumin e fotografive të përfshiheshin edhe persona të tjerë me karakteristika të ngjashme, mirëpo e vetmja fotografi me nishan në të gjithë albumin ishte ajo e Lutvijës,
Më tej, avokatja sqaroi se me parashtresën e datës 20 maj 2025 mbrojtja i kishte paraqitur dëshmitarit Vehbi Velija fotografitë e një personi me emrin Mustafa, dhe se ai e kishte identifikuar gabimisht atë foto si të ishte i akuzuari Lutvija, gjë që sipas saj vërteton shkeljet gjatë procesit të identifikimit.
Avokatja Jovana Filipoviq tha se në rigjykim, Prokuroria Speciale e precizoi aktakuzën duke pretenduar se i akuzuari kishte qenë polic me uniformë dhe jo inspektor, mirëpo dëshmitarët kishin deklaruar në mënyrë të përsëritur se ishin keqtrajtuar nga një inspektor në rroba civile.
Filipoviq kërkoi që klienti të saj t’i zbutet dënimi, teksa shtoi se ndonëse Prokuroria gjatë rigjykimit hoqi dorë nga akuza për vrasjen e Ramadan Jakupit, Themelorja përsëri i shqiptoi Lutvijës të njëjtin dënim prej 10 vjetësh burgim, sikur të mos kishte ndryshuar asnjë rrethanë.
“Konsideroj se një aktgjykim i tillë i shkallës së parë nuk guxon të mbetet. Konsideroj se ky aktgjykim është turp për një rend juridik dhe se ju si kolegj i Gjykatës së Apelit keni obligim të veproni sipas parimit in dubio pro reo”, deklaroi Filipoviq.
Ndërkaq, i akuzuari Shaqir Lutvija deklaroi se është plotësisht i pafajshëm.
“Nuk kam asgjë më shumë, vetëm dëshiroj të them se vërtetë nuk kam asnjë lidhje me këtë rast… asgjë nuk kam bërë, vetëm këtë dëshiroj ta them”, shtoi i akuzuari Lutvija.
Pasi palët përfunduan elaborimin e ankesës, kryetari i kolegjit, gjyqtari Ferit Osmani, njoftoi se seanca ka përfunduar dhe se palët do të njoftohen me vendimin e Apelit përmes gjykatës së shkallës së parë brenda afatit ligjor.
Themelorja në gjykimin e parë më 11 nëntor 2025 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Lutvija, duke e dënuar me 10 vjet burgim. Por, Gjykata e Apelit me vendimin e 23 qershorit 2026 e ktheu lëndën në rigjykim.
Edhe në rigjykim, Themeorja më 28 korrik 2026 e dënoi Lutvijën me 10 vjet burgim.
Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohej se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.
Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.
Me këtë, Lutvija akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së. /BetimipërDrejtësi/


