Lajme

Rugova: Nëse Kurti nuk reflekton, Kosova humbë shansin historik për anëtarësim në KiE

05/09/2024 19:56
nga:G B

SHBA ka shprehur shqetësime se Kosova nuk i ka votat për anëtarësim në KiE.

Kështu ka deklaruar dje emisari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se refuzon kushtëzimin me dërgimin e draft statutit të Asociacionit në Kushtetuese, për anëtarësim në KiE.

Lidhur me këtë, ish deputeti i LDK-së, Naser Rugova, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Asociacioni është obligim ndërkombëtar dhe duhet të përmbushet e pa të s’ka përparim në proces të integrimeve.

“Së pari, Asociacioni i komunave me shumicë serbe vetëm se është obligim ndërkombëtar i shtetit të Kosovës, dhe po ashtu pikë e veçantë e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Nuk ka përparim në procesin e integrimeve euro-atlantike pa përmbushjen e këtij kushti”, shprehet ai.

Rugova kujton letrën e krerëve të shtetit për zotimet lidhur me anëtarësimin në KiE dhe përmend presionin diplomatik kohëve të fundit për këtë çështje.

“Liderët institucional të Kosovës kanë dërguar një letër të zotimeve se do të bëjnë krejt çka është e duhur për anëtarësim në KiE. Dërgimin e draft statutit të Asociacionit e kanë kërkuar ditëve të fundit me presion diplomatik Berlini dhe Parisi zyrtar por edhe State Departamenti amerikan”, vlerëson ish deputeti për Gazeta Blic.

Sipas tij, nëse Kurti nuk reflekton, Kosova e humbë shansin historik për anëtarësim në KiE dhe kjo do të krijojë probleme të tjera e ftohje të raporteve me miqtë ndërkombëtarë.

“Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë seriozisht këto kërkesa të shteteve më të fuqishme që njëherësh janë edhe aleatë të Kosovës. Nëse kryeministri nuk reflekton, Kosova rrezikon të humbë një shans historik për anëtarësim në KiE. Po të humbet ky shans tani kjo do të krijojë probleme edhe me proceset tjera e veçanërisht ftohjen e raporteve me partnerët strategjik pa të cilët Kosova nuk mund të ecë tutje drejt integrimeve në strukturat euro-atlantike”, deklaron Naser Rugova./Gazeta Blic/

Haradinaj-Stublla: Qeveria të mos lejojë instalimin e Dodik Republikës në Kosovë – të mos dërgohet drafti në Kushtetuese