Lajme

Haradinaj-Stublla: Qeveria të mos lejojë instalimin e Dodik Republikës në Kosovë – të mos dërgohet drafti në Kushtetuese

05/09/2024 18:07
nga:G B

Ish ministrja e punëve të jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, në një prononcim për Gazeta Blic ka folur për anëtarësimin e Kosovës në KiE, kërkesën për draft statutin e Asociacionit, mos pranimit e kësaj kërkese nga kryeministri Kurti dhe shqetësimin e SHBA-ve se Kosova nuk i ka numrat për anëtarësim.

Ajo thotë se Serbia dëshiron që Asociacioni të krijohet me dekret të Qeverisë, që nuk e lejon Kushtetuta dhe korniza ligjore e Kosovës.

“Ndryshe nga ajo që lejon Kushtetuta dhe korniza ligjore e Kosovës, Serbia dëshiron që Asociacioni të krijohet me dekret të Qeverisë (që NUK është procedurë standarde ligjore për formimin e OJQ-ve) – dhe ky synim paradoksalisht mbështetet edhe nga Perëndimi”, thotë ish kryediplomatja.

Sipas saj, kjo dëshmon se Serbia synon Asociacion si një OJQ mbikushtetuese, e pavarur nga sistemi ligjor i Kosovës.

“Fakti se Serbia pretendon krijimin e kësaj OJQ-je me procedurë mbikushtetuese, dëshmon se ajo NUK synon të jetë një OJQ e rregullt siç e parasheh e lejon ligji, por një OJQ mbikushtetuese. Një ‘OJQ’ që ka karakterin e saj të veçantë juridik – e pavarur nga sistemi ligjor i Kosovës, dhe një ‘OJQ’ që përfundimisht krijon një shtresë të tretë, të mesme të qeverisjes në Kosovë, e cila nuk do t’i nënshtrohet as autoriteteve lokale e as atyre qendrore të Kosovës”, thekson Haradinaj-Stublla për Gazeta Blic.

Ajo vlerëson se pasi perëndimi ka garantuar se s’do të ketë më shumë kompetenca se një OJQ, qeveria s’duhet të nxjerr as dekret e as ta dërgojë draftin në Kushtetuese, edhe nëse kushtëzohet anëtarësimi në KiE.

“Bazuar në garancitë e mëparshme të Perëndimit se ASM nuk do të ketë kompetenca më shumë se një OJQ, Qeveria e Kosovës NUK duhet të nxjerrë asnjë dekret dhe as të dërgojë draft-statutin e BE-së për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese, edhe nëse ky proces kushtëzohet me votimin përfundimtar për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, vlerëson ish ministrja.

Ajo shton se anëtarësimi do të ndodhë, sikurse ka ndodhur liberalizimi por pa një përbindësh të një DODIK Republike 2.0 të instaluar brenda Republikës sonë demokratike.

“E rëndësishme është që Kosova të përmbushë dhe të mirëmbajë kriteret e anëtarësimit, dhe ashtu sikurse saga e stërvonuar padrejtësisht e liberalizimit të vizave, edhe anëtarësimi në KiE do të ndodhë herët apo vonë, por pa një përbindësh të një DODIK Republike 2.0 të instaluar brenda Republikës sonë demokratike”, deklaron Meliza Haradinaj-Stublla./Gazeta Blic/