Kandidati për deputet i LDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit, Ekrem Hyseni, në një intervistë për Gazeta Blic, e ka quajtur lojë politike rritjen e pagave për 55 euro nga janari dhe 55 euro të tjera nga muaji korrik nga Qeveria e Kosovës.
“Rritja e pagave në fund të mandatit për 55 euro nuk është në pritshmëritë që kanë qenë. Unë mendoj që është një lojë politike, nuk është për ta rritur mirëqenien e punëtorëve dhe stafit që punojnë në institucione por më shumë është pazar politik dhe për ta rritur qeverisjen që është keqqeverisje e kësaj qeverie. Nuk është dashur të ndodhë”, thotë ai.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se kjo është blerje tipike e votave dhe tentativë për blerë besimin.
“Është një blerje tipike e votave. Është më e madhe se kaq, është tentativë për ta blerë besimin dhe nuk është besimi diçka që blihet në pazar. Kjo nuk i shërben asnjë kauze, është një kamuflim për ta mbuluar mungesën e profesionalizimit nëpër institucione dhe për të mbuluar dështimet me propagandë”, shprehet Hyseni.
Ai thotë se LDK do ta rritë koeficientin e pagave në 150.
“Mendoj se çdo vendim në politikë duhet të shikohet si vendim ku do të ketë efektin e tij dhe rritja e pagave është domosdoshmëri. Si vendim i parë rritja e pagave me koeficient 150 do të bëhet në javën e parë”, thekson Ekrem Hyseni.
Ai tregon pse është e rëndësishme kjo rritje.
“Është shumë e rëndësishme që kjo rritje t’ua përmirësojë cilësinë e jetës qytetarëve. Ne po jetojmë në një ambient ku sot dihet që çmimet janë relativisht të larta, po ashtu është rritur çmimi i energjisë që ua vështirëson jetën, andaj ky vendim për rritje të pagës të koeficientit në 150 do ta lehtësojë sadopak jetën e qytetarëve që shporta bazike të jetë e mbushur”.
Ndërsa, sa i përket rritjes së pensioneve për 20 për qind, Hyseni vlerëson se është po ashtu tendencë për blerje të votës e besimit.
“Unë mendoj që edhe kjo edhe rritja e pagës prej 50 euro janë veprime të dëshpërume të një qeverie që e ka pushtetin me 51 për qind dhe ky pushtet do të thotë vendimmarrje 100 për qind dhe nuk ke pengesë për të bërë gjëra të mëdha dhe vizionare. Shteti nuk ka nevojë të administrohet, edhe po të mos jetë ministri, nënpunësit e kryejnë punën por shteti duhet të qeveriset dhe me një vendimmarrje 100 për qind duhet të mbeten gjurmë të cilat mund të ndikojnë vërtet në jetën e qytetarëve. Vendimi për rritjen e pensioneve në këtë varg të dështimeve është edhe qesharak sepse pensionistët me pensionet që kanë sot, nuk ua mbulojnë as mjekimin mujor për sëmundjet kronike që ata i kanë. Kjo është tentativë për të luajtur me një shtresë kaq të thyeshme në shoqëri dhe është tentativë për t’ua blerë votën dhe besimin dhe është e dëmshme”, potencon ai.
Por, Hyseni thotë se ata nuk do të mashtrohen.
“Absolutisht nuk mendoj se do të mashtrohen më njerëzit sepse po flasin për një mandat të plotë që e kanë parë një qeverisje që nuk i ka arritur prishtimëritë që i ka votuar. Unë jam i sigurt që me fuqinë blerëse të atyre që i kanë pasur ka qenë fuqia blerëse më e madhe për shkak se kostoja e jetesës ka qenë më e vogël dhe është dashur të rriten më tepër. Ajo që ndikon është ulja e kostos së jetesës dhe rritja e pensionit dhe ne do të konform mundësive buxhetore që nuk mendoj se janë të vogla, pra ka buxhet, s’kemi mbetur që të kursejmë në buxhet për pensionistët që ta kenë një jetë më dinjitoze”, deklaron ai./Gazeta Blic/


