Lajme

Rreth 950 vëzhgues, shumica të huaj, po i monitorojnë zgjedhjet presidenciale në RMV

04/24/2024 08:55
nga:Y I

942 vëzhgues monitorojnë procesin zgjedhor ku qytetarët e Maqedonisë së Veriut votojnë për presidentin e ardhshëm të shtetit.

Sipas listës së publikuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, 342 vëzhgues do të jenë nga vendi, ndërkaq 568 të huaj. OSBE/ODIHR ka më së shumti vëzhgues të akredituar, përkatësisht në mbarë vendin 372 vëzhgues.

Zgjedhjet e sotme kanë zgjuar interesim edhe te mediat ndërkombëtare. Sipas KSHZ-së, 32 gazetarë të mediave të huaja do të raportojnë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria njoftojnë se tërësisht janë të përgatitur për zgjedhjet presidenciale. Byroja për Siguri Publike ka krijuar Aksion Operativ “Zgjedhje Presidenciale dhe Parlamentare 2024”.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka formuar Komision të veçantë për ndjekjen e parregullsive eventuale gjatë zgjedhjeve. Ky komision ka njoftuar se është shtuar numri i prokurorëve kujdestarë me qëllim të mbulimit të tërë shtetit dhe ndjekjes së procesit.

Në koordinim me institucionet është edhe Agjencia për Siguri Nacionale e cila punon në mbledhjen e njohurive në lidhje me parregullsitë eventuale.

Për parregullsitë eventuale, qytetarët mund t’i drejtohen dhe Zyrës së Avokatit të Popullit përmes telefonit kujdestar 0800 54321, i cili është aktiv prej orës 07:00 deri në orën 19:00. /Alsat