Lajme

Punësimin e familjarit të Sali Zybës e konfirmon ministrja Rozeta Hajdari: Çfarë ka lidhje farefisnia ime me zotni Zybën?!

05/19/2021 11:12
nga:Y I

Megjithëse kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë fushatës elektorale kishte premtuar se nuk do të kishte punësime familjare kur ai të vinte në pushtet, një gjë e tillë si duket nuk po ndodh.

Rasti i fundit i punësimeve familjare ka ndodhur në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ministri kjo që udhëhiqet nga Rozata Hajdari.

“Gazeta Blic” nga burime të saj brenda Ministrisë merr vesh se Drilon Zuba, familjari i Sali Zybës, është punësuar si asistent i ministres Rozeta Hajdari.

Gazeta Blic pas marrjes së këtij informacioni ka kontaktuar me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Hajdari në përgjigjen e saj për “Gazeta Blic” ka thënë se i njëjti nuk është djali i vëllait të Sali Zybës, por nuk ka mohuar se i njëjti është i punësuar në këtë ministri.

“Nuk është djali i vëllait të Sali Zybës dhe është në kabinetin e ministres, pra është staf politik. Këto pyetje nuk janë të arsyeshme që i’u i bëni, nuk është djali i vëllait të Sali Zybës. Unë nuk e kam të afërt zotin Zyba, nuk e kam familjar, çfarë ka lidhje farefisnia ime me zotni Zybën”, tha shkurt Hajdari për “Gazeta Blic”

Rasti i punësimeve familjare nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje nuk është pikasur vetëm në këtë ministri.

Një rast i freskët për të cilën kishte raportuar edhe “Gazeta Blic” ishin punësimet në Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës ku disa prej anëtarëve rezultuan se ishin familjarë dhe mbështetës së LVV-së.

Por këto nuk janë rastet e vetme të punësime “me të njofshëm” nga ana e këtij subjekti politik.

Me të ardhur në pushtet LVV-ja, xhaxhi i kryeparlamentarit Glauk Konjufca, kishte marrë një pozitë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Edhe Lista “Guxo” partnere koalicioni me VV-në ka vazhduar të rehatojë njerëzit e saj në pozicione të ndryshme qeverisëse.

Në media pak ditë më parë u raportua se djali i xhaxhait të Haxhi Avdylit është “rahatuar” në Ministrinë e Shëndetësisë. /Gazeta Blic/

Qeveria Kurti nis me “kapjen” e bordeve, motra e deputetit dhe disa mbështetës të VV-së emërohen në Bordin e Teatrit

Djali i axhës së Haxhi Avdylit, ‘rehatohet’ në Ministrinë e Shëndetësisë