Lajme

Pse është zemëruar Kina pas raportit të OKB-së për Ksinjiangun?

09/02/2022 07:54
nga:Genita C

Kina është përgjigjur me zemërim ndaj një raporti të Kombeve të Bashkuara, në të cilin përmenden dyshimet për abuzime me të drejta të njeriut në rajonin e Ksinjiangut, me popullsi ujgure dhe minoritete tjera myslimane.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut ka thënë se hetimi njëvjeçar ka gjetur se shumica e grupeve myslimane janë subjekte të internimeve masive, punës së detyrueshme, abuzimeve seksuale dhe torturës.

Raportimi është publikuar pavarësisht përpjekjeve kineze për ta vonuar apo bllokuar atë.

Gjetjet e raportit mund të vërtetojnë pretendimet që mbi 1 milion anëtarë të minoritetit ujgur janë duke u dërguar me dhunë nëpër qendra që pretendohet se janë krijuar për qëllime trajnimi.

Personat që janë mbajtur aty, familjarët e tyre dhe grupet vëzhguese, i përshkruajnë këto qendra si të stilit të burgjeve, pasi të ndaluarve aty u kërkohet të kritikojnë Islamin dhe kulturën e tyre tradicionale, si dhe u kërkohet të betohen për besnikëri ndaj Partisë Komuniste.

Këto kampe janë pjesë e një fushate të gjerë të shtypjes në Ksinjiang, që përfshin sterilizime të dhunshme të grave, punë të detyrueshme, shkatërrim të xhamive dhe objekteve tjera fetare, ndarjen e fëmijëve myslimanë nga familjet e tyre, si dhe ngacmimet ndaj anëtarëve të familjes që jetojnë jashtë shtetit./REL/