Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka komentuar propozimin e nënkryetares së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, që bashkë me zgjedhjet lokale në vjeshtë, të mbahen edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ky propozim është ide që mund të diskutohet, por ajo nuk mund të imponohet jashtë procedurave kushtetuese.
Izmaku ka theksuar nevojën që të dialogohet dhe të gjendet konsensus politik për fazën në të cilën gjendet Kosova tani.
“Ne si Nisma Socialdemokrate besojmë se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe politik. Çdo vendim i rëndësishëm duhet të bazohet në Kushtetutë dhe në vullnetin e përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvend. Propozimi i Vetëvendosjes për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme bashkë me ato lokale është një ide që mund të diskutohet, por ajo nuk mund të imponohet jashtë procedurave kushtetuese. Në këtë fazë, ne jemi të përkushtuar për të gjetur një zgjidhje institucionale, funksionale – në interes të vendit dhe të qytetarëve. Prandaj, theksojmë rëndësinë e dialogut dhe të konsensusit politik”, është shprehur ajo për Gazeta Blic.
Deputetja ka theksuar se për Nismën është e rëndësishme që vendi të dalë nga kjo situatë dhe për këtë është angazhuar kjo parti, duke shtuar se mbështesin idenë që Fatmir Limaj të jetë kryetar i Kuvendit.
“Ne nuk e komentojmë me paragjykim pozicionin e asnjë partie, por ajo që është e rëndësishme për ne si Nismë është që vendi të dalë sa më shpejt nga kjo situatë. Në këtë drejtim, ne jemi të angazhuar në bisedime serioze dhe të hapura me partnerët politikë, përfshirë edhe Vetëvendosjen, për të gjetur një marrëveshje që garanton funksionimin e institucioneve dhe adreson shqetësimet e qytetarëve. Besojmë se çdo vonesë apo bllokadë mund të tejkalohet nëse të gjithë palët vendosin interesin e vendit para interesave partiake. Ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe për një zgjidhje që do të rikthejë funksionalitetin institucional – dhe natyrisht, mbështesim fuqimisht që Nisma të ketë përgjegjësi konkrete në institucionet e vendit, e këtu e mendoj drejtimin e Kuvendit nga z. Fatmir Limaj”, ka deklaruar deputetja Xhevahire Izmaku./Gazeta Blic/
Zogaj: Mbajtja e dy palë zgjedhjeve për një ditë do ta cenonte demokracinë
Lama: E papranueshme që VV ka marrë peng Kuvendin dhe imponon zgjedhje të reja


