Analisti politik Arton Demhasaj ka kritikuar propozimin e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe atyre të parakohshme, në të njëjtën ditë, ai thekson se ky propozim është një “shantazh politik” dhe një përpjekje për të ndikuar në votat e deputetëve opozitarë.
Demhasaj në një prononcim për GazetaBlic, thotë se Haxhiu po përdor një lloj shantazhi për të krijuar presion mbi deputetët, veçanërisht ata që mund të kenë frikë se nuk do të mund të rizgjidhen nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Ai theksoi se lidhja e zgjedhjeve lokale me ato parlamentare është problematike, pasi zgjedhjet lokale janë të rregullta dhe kërkojnë një fushatë 30-ditore, sipas ligjit, ndërsa zgjedhjet parlamentare të parakohshme do të kishin një fushatë shumë më të shkurtër, 14 ditë, që mund të krijonte komplikime të mëdha për KQZ.
“Është e padrejtë, fakti i parë është që këta vazhdimisht po thonë se i kanë numrat për qeveri po si kemi për kuvend pra nëse i kanë numrat për qeveri pse duhet me shku vendi në zgjedhje, le ta ndrrojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe të konstituohet Kuvendi dhe ta kryejn qeverinë. Nuk ka nevojë në asnjë rrethanë me u lidh zgjedhjet lokale me ato parlamentare, për shkak se zgjedhjet lokale janë të rregullta e për faktin që janë zgjedhje të rregullta fushata duhet me zgjatë 30 ditë sic e parasheh ligji, në anën tjetër nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme atëherë në këto zgjedhje normalisht që fushtata zgjatë 2 javë ditë, dhe normalisht kjo pastaj krijon komplikime edhe për KQZ.
Deklarata e Haxhiut më teper është një lloj shantazhi ndaj deputetëve të partive opozitare, sepse mund të ketë frikë nga deputetë të caktuar se a do të mund të zgjedhen më nëse vendi shkon në zgjedhje, që në një farë mënyre përmes këtij shantazhi me arrit me marrë votën e tyre, ku mendoj që kjo është e padrejtë dhe jo etike e jo morale me bë këtë“, u shpreh Demhasaj.
Ai gjithashtu shtoi se LVV nuk ka numrat e nevojshëm për të krijuar një shumicë parlamentare, dhe kjo është arsyeja pse ata po bëjnë presion për të mos lejuar që Kuvendi të konstituohet.
“LVV nuk ka vota me arrit me kriju shumicën parlamentare mbi 60 deputet për me kriju qeverinë dhe normalisht presionin po e bëjnë te Kuvendi pra nuk po e lejojnë që Kuvendi të konstituohet per faktin që nuk i kanë numrat“, përfundoi ai për GazetaBlic.


