Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar te Presidentja Vjosa Osmani, idenë që bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen dhe ato të jashtëzakonshme parlamentare.
Këtë e bëri të ditur nënkryetarja e VV-së, Albulena Haxhiu, pas takimit të përfaqësuesve të partive politike në vend me presidenten Osmani, për të diskutuar për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.
“Ishte një ide që të vazhdojmë t’i shpallim të dyja edhe ato të jashtëzakonshme bashkë me ato lokale. Qëndrimi jonë është për. Për ne është e rëndësishme që të konstatohet Kuvendi, të votohet qeveria por nëse sot ka qenë e 18-ta seancë që kur ka filluar votimi për Komision”, tha ajo.
Sipas Haxhiut, ideja ishte e saj, por që qëndrimi i Vetëvendosjes ishte “konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë”.
“Ideja ishte e imja. Unë isha shumë e vullnetshme që të diskutojmë edhe për këtë. Por duhet konstituim dhe shpërndarje e Kuvendit e që për këtë duhet marrëveshje politike”, deklaroi ajo para mediave.
Lidhur me këtë propozim, për Gazeta Blic ka folur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ai thotë se sot VV konfirmoi dëshirat politike dhe tregoi se gjithë zvarritja e krijimit të institucioneve qenka e lidhur me zgjedhjet lokale.
“Ka kohë që po flasin për procedura e jo për mundësi. Ka kohë që edhe ministër edhe deputet po “funksionon” roli në jetën institucionale e politike. Nga sot konfirmuan edhe dëshirat politike. Gjithë zhagitja e moskonstituimi i Kuvendit qenka lidhur për zgjedhjet lokale”, tha ai.
Haziri potencoi se s’mund të ketë proces tjetër zgjedhor, pa konsensus politik.
“Tetori po vjen! Pa konsensus politik nuk mund të ketë asnjë proces zgjedhor tjetër pos lokaleve”, deklaroi Lutfi Haziri./Gazeta Blic/
Vetëvendosje i propozon presidentes që zgjedhjet lokale të bëhen bashkë me ato parlamentare


