Vendet që keqtrajtuan Ukrainën do të mbajnë përgjegjësi kur të përfundojë lufta, tha ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.
Kreu i diplomacisë së Ukrainës tha se gjatë marrjes së vendimeve të ardhshme, Kievi do të marrë parasysh vendimet e secilit vend që nga momenti kur Rusia filloi pushtimin, shkruan BBC, përcjellë GazetaBlic.
Kuleba paralajmëroi gjithashtu se vonesa e dorëzimit të armëve nga Perëndimi “po u kushton me jetë ukrainasve” dhe se “kur një dorëzim vonohet vetëm për një ditë, kjo do të thotë se dikush do të humbasë jetën në front”.
Ai shpjegoi se vendet që nuk mbështesin Ukrainën tani dhe “keqtrajtuan” Kievin gjatë luftës, “do ta paguajnë shtrenjtë në të ardhmen”.
Vendet perëndimore u bashkuan fuqishëm në mbështetje të Ukrainës, por shumë vende në Afrikë, Azi dhe Amerikën e Jugut mbetën mënjanë.
“Nëse dikush në botë mendon se mënyra se si një vend u soll apo e trajtoi Ukrainën në momentin më të errët të historisë së saj nuk do të merret parasysh në ndërtimin e marrëdhënieve të ardhshme, ata thjesht nuk e dinë se si funksionon diplomacia”, tha Kuleba.
Ai iu referua luftimeve rreth qytetit ukrainas Bakhmut dhe tha se ato janë të një rëndësie të madhe, sepse pushtimi i tij do të nënkuptonte një rrugë të hapur për qytetet e tjera për Rusinë.
“Çdo luftë përfundon në tryezën e bisedimeve. Qëllimi im si Ministër i Punëve të Jashtme është të siguroj që Ukraina të vijë në tryezë pas një suksesi vendimtar në fushën e betejës”, tha kreu i diplomacisë ukrainase.
Kuleba shpjegoi se kjo nënkupton ndërtimin e koalicioneve më të forta të mundshme të mbështetjes dhe një aleance që, thotë ai, aktualisht nuk përfshin kreun e Vatikanit, Papa Françeskun.
“Më vjen thellësisht keq që Papa Françesku nuk e ka parë të arsyeshme të vizitojë Ukrainën që nga fillimi i luftës,” tha ai.
Duke iu referuar vizitës së paralajmëruar të presidentit kinez Xi Jinping në Moskë, Kuleba tha se ai nuk mendon se Pekini është “gati të fillojë armatosjen e Rusisë”, përcjellë GazetaBlic.


