Eksperti i sigurisë, Fatmir Qollaku, vlerëson se gjendja aktuale e sigurisë në Kosovë është e mirë krahasuar me vendet e rajonit.
Ndonëse në vetëm dy ditë në Kosovë janë regjistruar pesë vrasje, duke tronditur opinionin publik dhe nxitur reagime të forta nga autoritetet dhe qytetarët, ai thotë se rastet e vrasjeve janë të pakta dhe nuk tregojnë një rritje shqetësuese.
“Në përgjithësi, situata aktuale e sigurisë në Kosovë është stabile, e qëndrueshme. Nëse krahasohet gjendja e lëndëve të krimit dhe, në përgjithësi, siguria e brendshme në Kosovë me vendet në rajon, është dukshëm më e mirë sa i përket vendeve të tjera. Sepse, bazuar në statistikat e llojeve të ndryshme të krimit apo kategorive të ndryshme të veprave penale, vrasja si vepër penale, si kategori në këtë rast, nuk shënon një rritje të madhe. Pavarësisht që këtë fillim muaji kemi numër shumë të madh – gushti nisi me pesë vrasje. Por, nga janari deri në fillim të gushtit kanë qenë 7 raste të vrasjeve. Në total, për tetë muaj, del mesatarisht 1.5 për muaj, përafërsisht. Që i bie se është numër dukshëm i vogël i numrit të vrasjeve për kokë banori në Republikën e Kosovës në raport me vendet e rajonit”, tha ai për Gazeta Blic.
Sipas Qollakut, për të parandaluar vrasjet dhe krimet e tjera, nevojitet bashkëpunim i ngushtë ndërinstitucional. Ai e sheh problemin kryesor te prania e madhe e armëve ilegale në duart e qytetarëve.
“Natyrisht që është objektiv i qëlluar që të ketë sa më pak të veprave penale, në rastin konkret – vrasje. Për ta arritur këtë objektiv, pa mëdyshje se duhet një bashkëpunim ndërinstitucional dhe efikas në fushën e sigurisë dhe drejtësisë. Nëse këto hallka funksionojnë siç duhet, në mënyrë të suksesshme, në bashkëpunim me komunitetin dhe faktorët e tjerë, pa mëdyshje se epilogu i kësaj situate do të jetë më i lartë. Prandaj, ka hapësirë për t’u përmirësuar. Por faktori kyç, për mendimin tim, është ende prezent – numri i madh i armëve ilegale në duar të qytetarëve dhe bartja e atyre armëve pa leje në vende publike”, u shpreh ai.
Duke komentuar rastin e Gjilanit, Qollaku thotë se duhet të shmanget përgjithësimi dhe fajësimi i institucioneve pa analizuar rrethanat ligjore të vendimeve. Por kërkon llogaridhënie nga të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë për të rritur besimin e qytetarëve.
“Rasti konkret i Gjilanit, në bazë të asaj që është publikuar deri tani, si raportet e punës së institucioneve të ndjekjes dhe institucioneve të drejtësisë, sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial, rezulton që në vitin e kaluar, pra, personi ka qenë në paraburgim dhe i është ndërprerë paraburgimi me dorëzani. Ky është një instrument juridik, një mekanizëm legal që parasheh se në këto relacione nuk bën të shabllonizohet puna dhe të fajësohen direkt organet. Ose deri në skajshmëri, siç edhe dinë të reagojnë qytetarët tanë: “S’ka shtet, s’ka drejtësi, s’ka ligj” e të tjera. Natyrisht që ka hapësirë për t’u përmirësuar. Dhe unë rreshtohem që duhet të ketë llogaridhënie nga secili subjekt. P.sh., puna e prokurorit – të japë llogari për punën e vet. Gjyqtari po ashtu. Hetuesi po ashtu. E kështu me radhë. Nëse të gjithë këta subjekte të zinxhirit institucional veprojnë siç duhet, konform mandatit të tyre, pa mëdyshje që rezultati do të jetë i kënaqshëm dhe më i favorshëm se deri tani”, tha ai.
Ndryshe, në vetëm 48 orët e fundit, Kosova është tronditur nga pesë vrasje të ndodhura në vende të ndryshme të vendit, një valë e dhunës që ka shqetësuar thellë qytetarët.
/GazetaBlic/


