Sporti

Përsëritet historia | FC Ballkani bën krenar shqiptarët dhe siguron kualifikimin në grupet e Conference League

08/31/2023 21:56
nga:Lorik J

Skuadra kosovare, FC Ballkani ka arritur një tjetër sukses historik në garat evropiane, duke siguruar kështu kualifikimin në grupet e Conference League.

Kampionët e Kosovës kanë fituar ndaj BATE Borisov me rezultatin e përgjithshëm 4-2 në “Play Off”, duke siguruar kështu kualifikimin e madh në grupet e Conference League, shkruan GazetaBlic Sport.

Në fakt, “Xhebrailat” kanë arritur këtë sukses për herë të dytë radhazi, duke u bërë ekipi i parë kosovar që arrin dy herë radhazi në grupet e UEFA’s, teksa njëkohësisht është edhe ekipi i vetëm që ka arritur në grupet e një gare të organizuar nga shtëpia e futbollit evropian.

FC Ballkani bëri një paraqitje spektakolare në Prishtinë para një jave, ku fitoi 4:1 ndaj BATE me golat e Bleart Tolaj (2), Bajram Jashanica dhe Armend Thaqi. Sot, në Hungari, FC Ballkani humbi me rezultatin 1-0, por që kjo nuk ndikoi aspak negativisht, pasi fitorja e parë ia dha luksin kampionëve kosovar që të avancojnë tutje.

Një tjetër arritje e madhe për ekipin e trajnerit Ilir Daja, i cili tashmë do të drejtojë një skuadër shqiptare në grupet e UEFA për herë të tretë në karrierën e tij.

/GazetaBlic Sport