Lajme

Peci: Një ditë para se të filloj fushata zgjedhore janë shpërndarë vendime në vlerë prej 10 milionë euro, pa mbulesë financiare

11/25/2021 23:18
nga:A. R.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka deklaruar edhe më parë se këtë Ministri e kanë gjetur me 40 milionë euro borxhe të trashëguara.

Madje Peci i ftuar në emisionin “CONTEXT” tha se Qeveria e kaluar ka shpërndarë kontrata në vlerë prej 10 milion euro për fermerët, mjete financiare të cilat nuk kanë ekzistuar.

“Qeveria paraprake pra Qeveria Hoti ka marr vendim për dyfishimin e përkrahjes financiare për fermerë marrë parasysh gjendjes me pandeminë, mirëpo problemi është që ky vendim nuk është shoqëruar me mjete financiare, ta zëmë se në rast se ministra ka pasur buxhet për subvencione 24 deri 25 milion euro në vitin 2020 , momentin kur kanë bërë shpallje fermerët që i kanë plotësuar kriteret për të fituar ato subvencione, vlera ka shkuar diku deri rreth 38 milion dhe në momentin kur Qeveria ka marrë vendim për me dyfishu përkrahjen financiare këta i kanë pasur 25 milion, vlerën e kanë tejkaluar për 13 milion dhe momentin kur kanë marrë vendim për dyfishim vlera ka arrit diku 70 milion ndërkaq i kanë pasur 50 milion dhe automatikisht borxhi është rrit në 20 milion. E kanë shfrytëzuar periudhën e fushatës zgjedhore ta zëmë një ditë para fushatës zgjedhore me datën 3 shkurt janë shpërndarë kontrata dhe vendime në vlerë 10 milion mjete financiare për fermerë, ndërsa mjetet nuk kanë ekzistuar,”- tha Peci.

Sipas tij kjo e ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen në Ministrinë të cilën ai e drejton.

“Kjo e ka përkeqësuar gjendjen dhe thjeshtë kjo ka qenë një bombë e kurdisur që kushdo që vjen pas në drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë të ballafaqohet me problem të tillë,”– u shpreh Peci.