Lajme

PDK’ja në Pejë ende pa një emër për zgjedhjet lokale, Xhavit Haliti e Hajredin Kuçi mohojnë kandidaturat potenciale

06/10/2021 13:00
nga:M K

Partitë politike kanë para vetes një provë tejet të vështirë.

Ashtu siç ndodhë zakonisht para zgjedhjeve lokale, në shumicën e degëve në partitë respektive ka pakënaqësi, për shkak të emrave të nominuar, shkruan GazetaBlic.

Kësisoj pritet të jetë edhe në ato të vjeshtës që po vie. “Aroma e mosmarrëveshjeve” po nuhatet thuajse tek të gjitha partitë.

Interesant pritet të jetë edhe në Pejë. Për njërën prej shtatë qendrave të mëdha, e të cilën aktualisht e udhëheqë AAK-ja, pritet një garë e jashtëzakonshme, pasi emrat e konfirmuar deri tani, do të jenë lojtarë që shumë lehtë mund ta kthejnë rezultatin në favor të tyre. Deri tani është mësuar se Aleanca do të garojë me Arbër Tolajn, ndrësa kryetari aktual, Gazmend Muhaxheri, do të jetë sërish në garë.

PDK raportohet të jetë në fazën fillestare. Këtë e konfirmoi edhe i pari i degës. Në një prononcim për GazetaBlic, Haliti shtoi se edhe më tutje nuk kanë bërë hapa konkretë, megjithëse ka thënë se dera e kandidimit është e hapur për secilin që e ndjen veten se mund të kontribuojë nga ajo pozitë.

“Deri tash s’ka asnjë lëvizje. Jemi në fazën e parë. Ta quaj një lloj referendumi të brendshëm. Kushdo që ia merr mendja e ia ndjen zemra se mund të kontribuojë dhe të marrë besimin e organeve gjegjëse të partisë, le të kandidojë”, tha fillimisht Haliti për GazetaBlic.

Ndërkaq, Haliti mohoi të jetë njëri prej kandidatëve.

“Jo jo, asesi. Nuk jam kandidat”, përfundoi ai.

Një tjetër figurë e PDK-së që e mohoi kandidaturën është edhe Hajredin Kuçi. Një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-presidentit Thaçi, tha se ishte çuditur kur disa e kishin lakuar emrin e tij si kandidat potencial.

“Jo, nuk do të jem kandidat. Madje u habita kur u përmendë emri im”, tha Kuçi për GazetaBlic.

Kujtojmë se tashmë kemi hyrë në javët e fundit të konfirmimit të kandidaturave, ndërsa sipas të gjitha gjasave, Korriku pritet që të na gjejë me të gjithë emrat e kandidatëve për të gjitha komunat e Kosovës.

LEXO EDHE:

Vjosa Osmani: Nuk pranojmë lëvizje të kufijve

/GazetaBlic/