SHBA, QUINTI dhe BE kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës ta shtyjë për 10 muaj afatin për targat.
Ata kërkojnë që të shtyhet ky afat dhe të shmanget mundësia e një tensionimi në veri.
Ishte emisari amerikan Gabriel Escobar që tha qëndrimin e Amerikës, derisa deklaroi se këtë kërkesë kryeministrit ia ka bërë sekretari amerikan, Antony Blinken.
Por, kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk do të ketë vendim për shtyrje të afatit për targat.
Këtë deklaratë ai e bëri sot pas Samitit të Ballkanin Perëndimor.
Lidhur me këtë, Gazeta Blic ka pyetur partitë opozitare se a duhet apo jo të merret parasysh kërkesa e SHBA dhe BE për shtyrjen e këtij afati.
Nga LDK dhe AAK nuk janë përgjigjur, pasi ende nuk kanë qëndrim lidhur me këtë çështje.
Ndërsa, nga PDK, deputetja e kësaj partie, Ariana Musliu-Shoshi, thotë për Gazeta Blic se kjo kërkesë duhet të merret parasysh dhe të respektohet.

“Theksoj se kërkesa e SHBA-së dhe QUINT-it duhet të merret parasysh dhe të respektohet”, thekson ajo.
Musliu-Shoshi për Gazeta Blic ka potencuar se këshillat e shteteve mike asnjëherë nuk kanë qenë kundër Kosovës dhe nuk duhet të kemi frikë as tani.
“Unë besoj në këshillat e shteteve mike të cilat deri më sot nuk kanë qenë kundër kushtetushmërisë dhe mbrojtjes së sovranitetit të Kosovës. Prandaj s’ka vend të kemi frikë”, deklaron deputetja e PDK-së./Gazeta Blic/
Kurti s’e përfillë kërkesën e Amerikës: S’do të ketë shtyrje të afatit për targat


