Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për situatën e sigurisë në vend, paralajmërimet e kryeministrit Kurti për tensione në veri, kërcënimet serbe dhe shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë.
Ai thotë se aktualisht situata është e qetë por tensionet mund të vijnë për shkak të Serbisë, e cila pretendon që ta destabilizojë veriun por edhe pjesën tjetër të Kosovës, mirëpo veriu është nën kontroll të institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Situata e sigurisë në vend është e qetë. Ka tensione normalisht sepse Serbia tërë kohën pretendon që ta destabilizojë veriun por edhe pjesën tjetër të Kosovës. I kemi parë edhe kohëve të fundit shpërthimet me granata dore në mesnatë dhe Serbia tashmë nuk po pajtohet që kontrolli mbi veriun e vendit është mbi institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë rast Policisë, Komunës dhe çdo institucioni i cili funksionon në çdo komunë dhe ju po e shihni që qytetarët serbë në mënyrë masive i kanë regjistruar automjetet me targa të Republikës së Kosovës, janë duke i marrë letërnjoftimet dhe janë duke u integruar ashtu siç e kemi pritur, pasi që më strukturat kriminale nuk e kanë fuqinë në veri, e sidomos pas rastit të Banjskës, ku institucionet e sigurisë i kanë larguar dhe i kanë arrestuar normalisht edhe duke i gjuajtur dhe duke pasur viktima në anën e terroristëve”, thotë deputeti.
Bajqinovci, i cili njëherësh është anëtar i Komisionit për Çështje të Mbrojtjes dhe Siguri, flet për paralajmërimet e kryeministrit Kurti se mund të ketë tensione sërish në veri.
Sipas tij, Kurti kishte paralajmëruar edhe para sulmit të Banjskës, por që nuk ishte marrë seriozisht nga opozita e bashkësia ndërkombëtare.
“Kryeministri Kurti edhe para rastit të Banjskës ka treguar se Kosova mund të sulmohet nga strukturat paramilitare dhe kriminale të Serbisë, pra terroriste dhe nuk është marrë shumë seriozisht nga opozita po edhe nga një pjesë e shoqërisë civile, po edhe nga ndërkombëtarët. Dhe kur ndodhi sulmi të gjithë janë mobilizuar dhe tashmë strukturat e sigurisë janë duke e bërë punën e vet. Ka shtim shumë të madh të njësive speciale në veri, po ashtu ka edhe nga institucionet tjera të sigurisë të cilat e përcjellin situatën dhe besoj që tashmë institucionet ndërkombëtare pas daljes së kryeministrit Kurti se mund të ketë sulme të tjera, janë mobilizuar, duke filluar nga KFOR-i, EULEX-i, që është responduesi i dytë, pastaj KFOR-i i treti, kanë filluar të mobilizohen, të dërgojnë trupa në veri sidomos rreth kufirit, që mos të ketë më kriminelë terroristë që futen brenda territorit dhe bëjnë sulme ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës”, shprehet deputeti i VV-së për Gazeta Blic.
Ai shton se si me, si pa KFOR-in, Kosova duhet të jetë e përgatitur për veri, duke shtuar se nëse vjen puna që të futen trupat serbe në Kosovë, në veri dërgohet FSK-ja dhe për këtë s’duhet pritur nënshkrim apo marrëveshje.
“Situata është kështu, Kosova duhet të jetë e përgatitur si me, si pa KFOR-in. KFOR-i është ushtria që e mbron Kosovën në 10 mijë e 900 kilometra katrorë, sipas Rezolutës që janë të mandatuar, por ne kemi Policinë e Kosovës, kemi Njësitë Speciale, kemi policinë kufitare që janë të specializuar dhe kemi shtuar numrin e tyre shumë që më të mos ketë ndërhyrje por nëse vjen puna e ndonjë lufte siç po parashihet, ndonjë sulm masiv, atëherë nuk ka më që të flitet a duhet të ketë nënshkrim, a lejohet ushtria apo jo, ne do ta mbrojmë vendin, pra Republikën e Kosovës me të gjitha mjetet në dispozicion që kemi”, thekson Mefail Bajqinovci.
Sipas tij, nëse sulmohemi nuk ka çfarë pritet por duhet mbrojtur me gjithë makinerinë që e kemi në dispozicion, në këtë rast Policinë dhe FSK-në.
“Nëse sulmohet frontalisht dhe futen, unë mendoj që atëherë nuk kemi çfarë të bisedojmë, atëherë ose duhet t’i lejojmë që të futen në territor, ose duhet të luftojmë me të gjithë makinerinë që e kemi në dispozicion, në këtë rast Policinë dhe FSK-në”, shton deputeti i VV-së.
Edhe pse thotë se mund të mos ndodhë pasi KFOR-i e ruan atë pjesë, por që sipas tij duhet qenë vigjilentë, sepse terroristët serbë janë futur edhe për sulmin në Banjskë, andaj duhet të jemi të përgatitur.
“Pajtohem sepse KFOR-i është ai që ruan atë pjesë atje por ne duhet të jemi gjithmonë vigjilentë sepse kemi thënë edhe që nuk do të futen dhe janë futur brenda, e kanë sulmuar me armatim të rëndë Policinë e Kosovës por e keni parë që e kanë humbur luftën, përkundër që fatkeqësisht e kemi pasur një dëshmor, një hero, z.Bunjaku dhe unë mendoj që ne duhet të jemi vigjilentë tërë kohën dhe në rast të sulmit të madh unë besoj që institucionet e Republikës së Kosovës, Qeveria dhe krejt institucionet e sigurisë janë të përgatitura ta mbrojnë vendin, pa marrë parasysh se me çfarë sulmi kemi të bëjmë”, deklaron Bajqinovci./Gazeta Blic/


