Lajme

Paralajmëroi kallëzim penal ndaj një qytetari, avokati Koci-ministres Haxhiu: Mos e bëni, nuk është vepër penale!

09/06/2022 08:13
nga:G B

Ministrja Albulena Haxhiu ka paralajmëruar se do ta ndjek penalisht një qytetar, Korab Blakaj, pasi ai ka ironizuar me të përmes një postimi në Facebook, pasi Haxhiu tregoi rastin e një tentim dhunimi ndaj një vajze 14 vjeçare.

“Personat e tillë që tentojnë të tallen me fëmijët e dhunuar, duhet të ndiqen penalisht dhe qysh nesër do ta raportoj në polici”, ka shkruar Haxhiu.

Por, avokati Arianit Koci, ka thënë se postimi i tij në Facebook është tallje dhe nuk përbën vepër penale.

Madje, ai i ka komentuar ministres Haxhiu që të mos bëjë kallëzim penal e ka bërë dhe një postim të veçantë në Facebook lidhur me këtë.

“Statusi i Korab Blakaj, po tingëllon rëndë shumë rëndë, edhe për shijen time, por nuk është vepër penale.

Thjesht, Korabi ka bërë tallje, satirë, humor!

Këtë lloj statusi e mbron liria e shprehjes.

Revista satirike javore Charlie Hebdo, e ka humorin edhe më të rëndë; humor të zi me primesa të fyerjes së rëndë dhe sakrilegjit, por nuk i bëjnë kallëzime penale. Sidomos jo, zyrtarët e lartë të shtetit.

Më falni zonja ministreshë Albulena Haxhiu, ashtu funksionon shoqëria e cila lirinë e shprehjes e ka një prej postulateve kryesore.

Prandaj, mos humbni kohë. Mos e bëni kallëzimin penal!” ka shkruar në Facebook Koci./Gazeta Blic/