Bashkimi Evropian do ta shtojë presionin ndaj Kosovës e Serbisë, për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit.
Kështu ka deklaruar dje përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Lidhur me këtë, anëtarja e LDK-së, Shqipe Pantina, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se përkundër zotimit, Kurti e Vuçiq nuk e kanë zbatuar marrëveshjen.
““Përkundër faktit se edhe Kryeministri Kurti edhe Presidenti i Serbisë Vuçiç janë zotuar për zbatimin e asaj që quhet si Marrëveshje e Ohrit, asnjëra palë deri më tani nuk ka shprehur gatishmëri për zbatimin e saj”, thotë ajo.
Pantina thekson se Serbia asnjëherë nuk i ka zbatuar marrëveshjet me Kosovën, por është hera e parë që Kosova ndëshkohet më shumë se Serbia, pasi Qeveria ka bërë qëllimisht veprime që sabotojnë marrëveshjen.
“Serbia asnjëherë deri më tani nuk i ka zbatuar me vullnetin e lirë Marrëveshjet që ka arritur me Kosovën, madje disa prej tyre nuk i ka zbatuar fare, por është hera e parë që Kosova ndëshkohet me shumë se Serbia për moszbatim të kësaj marrëveshje sepse është hera e parë kur një Qeveri e Kosovës qëllimisht bën veprime që sabotojnë zbatimin e kësaj marrëveshje”, vlerëson anëtarja e LDK-së.
Ajo shton se moszbatimi i marrëveshjes i konvenon Serbisë, ndërsa na kushton neve si Kosovë.
“Mos zbatimi i marrëveshjes dhe sidomos zvarritja sa më gjatë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, i konvenon shumë kësaj të fundit, prandaj edhe ata nuk nguten në zbatimin e tyre, por neve si Kosovë na kushton shumë çfarëdo vonese në përmbylljen e procesit të dialogimit me Serbinë. Pasojat nuk janë vetëm në politikën e jashtme, ku kemi një ngecje totale, por edhe në zhvillimin e vendit; s’kemi investime, s’kemi projekte të mëdha zhvillimore dhe ende varemi kryesisht nga importi”, potencon Pantina.
Sipas saj, “me Kurtin në krye të Qeverisë nuk ka ndonjë dalje nga ky qorrsokak ku na ka futur si shtet”./Gazeta Blic/


