Lajme

Osmani: Kosova u bë anëtare e FIFA-s falë Infantinos dhe ikonës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri

09/30/2022 12:58
nga:E K

Presidenti i FIFA’s, Gianni Infantino ka arritur në Kosovë për një vizitë zyrtare.

Infantino ka vizituar Federatën e Futbollit të Kosovës ku është pritur nga kryetari, Agim Ademi, shkruan GazetaBlic Sport.

I pari i shtëpisë më të madhe të futbollit, Infantino më pas është ndalur edhe para shtatores së legjendës, Fadil Vokrri për të bërë homazhe.

Pas kësaj ai është takuar edhe me liderët shtetëror, Vjosa Osmani e Albin Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit ka shkruar në Facebook se arritja e Kosovës për pranim në FIFA erdhi si rezultat i angazhimit të ikonës, Fadil Vokrri dhe ndihmës së Presidentit, Infantino.

“Sporti i bashkon njerëzit e shtetet, por edhe eliminon dallimet! Sot pata kënaqësinë ta mirëpres në takim, presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, të cilin e falënderova për mbështetjen ndaj sportit të Kosovës. Në fillim të mandatit të z.Infantino, Kosova u bë anëtarja e 210-të e FIFA-s me një kontribut të jashtëzakonshëm të tij si dhe me punën e palodhshme të ikonës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri. Sot sporti kosovar kudo në botë ka paraqitje dinjitoze. Presim mbështetje të mëtejme nga FIFA që sportistëve tanë t`u sigurohet infrastrukturë më e mirë, e ata të shkëlqejnë duke treguar potencialin e vërtetë të Kosovës”, shkroi Osmani.

/GazetaBlic Sport/