Trajneri i Prishtinës, Orges Shehi, ka komentuar barazimin 1-1 ndaj Malishevës, duke u shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, pavarësisht se kryeqytetasit nuk arritën të marrin tri pikët.
Shehi theksoi se Prishtina ka qenë dominuese gjatë gjithë ndeshjes, duke vlerësuar presionin e ushtruar ndaj kundërshtarit dhe mënyrën se si skuadra e tij e ka kontrolluar lojën.
“Vijmë pas dy barazimeve. Performanca e skuadrës është dominuese, kemi bërë edhe rotacione, ndërsa presionin e kemi ushtruar mirë”, deklaroi Shehi.
Tekniku i Prishtinës u shpreh i kënaqur me faktin se skuadra e tij vazhdon të jetë prezente në lojë dhe t’i detyrojë kundërshtarët të mbrohen, duke e konsideruar këtë një aspekt pozitiv të paraqitjeve të fundit.
“Skuadra është prezente dhe dominuese gjatë gjithë kohës, gjë që na kënaq. Skuadra jonë gjithmonë e detyron kundërshtarin të mbrohet”, shtoi ai.
Shehi flet edhe për përballjen me Ballkanin
Pas barazimit ndaj Malishevës, vëmendja e Prishtinës kthehet te sfida e radhës kundër Ballkanit. Shehi theksoi se kundërshtari ka pasur më shumë kohë për rikuperim, pasi ka luajtur dy ditë më parë, ndërsa skuadra e tij duhet të përgatitet në një periudhë më të shkurtër.
“Ballkani luajti para dy ditësh. Ne kemi më pak kohë për pushim, ndaj kemi mundësi vetëm të rikuperohemi dhe ta përgatisim ndeshjen në aspektin teorik”, u shpreh trajneri i Prishtinës.
Megjithatë, Shehi bëri të qartë se skuadra e tij do t’i qaset kësaj përballjeje me përkushtimin e duhur, duke mos e nënvlerësuar kundërshtarin.
“Gjithsesi, do ta trajtojmë ndeshjen me respekt dhe seriozitet, si gjithë të tjerat”, përfundoi Orges Shehi.
/GazetaBlic Sport/


