Lajme

“Open Ballkan” i zbehtë pa Zaevin, rënie entuziazmi te Shqipëria e Serbia

11/04/2021 19:12
nga:Q R

Pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit, Zoran Zaev, janë vendosur shumë pikëpyetje rreth vazhdimësisë së ‘Open Ballkan’. Edhe pse Maqedonia Veriore, ka zëvendësuar shpejt Zaev, ku në takimin e sotëm me Ramën e Vuçiqin u pa zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, analistët politikë vlerësojnë se iniciativa ‘Ballkani i Hapur’ është iniciativë e zbehtë dhe se po shfrytëzohet për konsum mediatik e politik, shkruan Gazeta Blic.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë për ‘Gazeta Blic’, se ‘Open Ballkan’ është një iniciativë e zbehtë, sidomos pas dorëheqjes së Zaev, sipas tij, as Shqipëria dhe as Serbia nuk kanë entuziazëm për të vazhduar tutje këtë proces.

“Mendoj që është një iniciativë shumë e zbehtë sidomos pas dorëheqjes sepse po vërehet që edhe në vendet si Shqipëri dhe si Serbi nuk është që ka një entuziazëm për me zhvillu, më shumë po shfrytëzohet për konsum mediatik e politik se sa që ka diçka reale në të ardhmen e afërm”, vlerëson Arifi.

Ndërkaq, analisti politik Shemsi Jashari, deklaron për ‘Gazeta Blic’, se iniciativa ‘Open Ballkan’ varet nga qëndrimi i lidershipit të ri Maqedonas.

Sipas tij, kjo iniciativë do të duhej të pushonte së ekzistuari derisa nuk gjendet një pajtueshmëri me të gjitha vendet e rajonit të ballkanit.

“Sa i përket inicitvës “Open Ballakn” varet shumë se çfarë qëndrimi do të marr lidershipi i ri Maqedonas, pas zgjedhjeve por patjetër se është me ndikim negativ, pasi edhe vendet tjera përfshirë Kosovën nuk janë pjesë e kësaj iniciative dhe si e tillë do të duhej të pushonte së ekzistuari derisa nuk gjendet një pajtueshmëri me të gjitha vendet e rajonit të ballkanit. Këmbngulja në shtyrjen përpara të kësaj ideje pa Kosovën, nuk i bënë mirë ballkanit dhe është vështirë e realizueshme“, thotë Jashari.

Edi Rama në një konferencë për media ka thënë se ‘Ballkani i Hapur’ ka qenë i domosdoshëm shumë kohë më parë, ndërsa ka përmendur rastin e Francës dhe Gjermanisë.

Ai ka insistuar se Ballkani i Hapur është në fakt ‘Procesi i Berlinit’ por i marrë në zotërim nga vet shtetet për të bërë realitet ato që në Procesin e Berlinit mbetën deklarata.

“Kjo nismë ka qenë e domosdoshme kohë më parë. Kur e kuptuam shumë shpejt se Procesi i Berlinit ishte i destinuar të kthehej në një proces samitesh e deklaratash pa pasojë të drejtpërdrejtë, zbatimin e atyre që thuash. Ballkani i Hapur ka një vizion qind për qind të Procesit të Berlinit, një kornisë qind për qind të atij Procesi dhe një set kriteresh të njëjta. Ballkani i Hapur është Procesi i Berlinit por i marrë në zotërim nga vet ne për të bërë realitet ato që në Proces të Berlinit mbetën në kuadër të deklaratave. Nuk është proces personash”, ka thënë Rama.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se “Ballkani i Hapur” i ka dyert e hapura për Prishtinën, Sarajevën dhe Podgoricën.

“Nuk mund t’i përgjigjem të njëjtës pyetje, jo se është e vështirë për mua, por më duket se kemi hyrë në thelb të problemeve të njerëzve tanë. Kemi mjaft punë dhe kujdes për t’u justifikuar para dikujt”, tha ai para gazetarëve pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov.

“Nuk më shkon në mendje t’i justifikohem askujt për asgjë, as në BE e as në rajon”, tha presidenti i Serbisë.

Në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, sot në Beograd ka mbërritur zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikola Dimitrov, në takim pune në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Me të mbërritur, Dimitrov theksoi se bashkëpunimi rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm për arritjen e angazhimeve të përbashkëta strategjike për të cilat është përkushtuar Qeveria, pavarësisht situatës politike, dhe konfirmim për këtë është pjesëmarrja e tij në këtë takim.

“Mbi të gjitha, unë vij me mesazhin se bashkëpunimi rajonal është një histori absolutisht evropiane, se ne duam të vazhdojmë ta thellojmë atë. Ne shtojmë një segment të rëndësishëm nesër – si mund të na ndihmojë dixhitalizimi të përshpejtojmë dhe thellojmë bashkëpunimin rajonal. Unë vij në një kohë kur, siç e dini, në Maqedoninë tonë, në Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet lokale kanë përfunduar, ka sfida të caktuara politike dhe një krizë politike në një farë mënyre. “Është e rëndësishme të japim një sinjal se si qeveri, si shtet jemi plotësisht të përkushtuar ndaj kësaj iniciative që ka lindur në Ballkan dhe qëllimi i së cilës është në radhë të parë një Ballkan evropian”, tha Dimitrov.

Rama: Kërkimfalja e Serbisë ndaj Kosovës duhet të vijë në fund e jo në fillim