Lajme

Rama: Kërkimfalja e Serbisë ndaj Kosovës duhet të vijë në fund e jo në fillim

11/04/2021 14:20
nga:Gazeta Blic

Sot është mbajtur takimi mes kryeministrit të Shqipërise, Edi Rama, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviq, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Edi Rama në një konferencë për media ka thënë se Ballkani i Hapur ka qenë i domosdoshëm shumë kohë më parë, ndërsa ka përmendur rastin e Francës dhe Gjermanisë.

Ai ka insistuar se Ballkani i Hapur është në fakt ‘Procesi i Berlinit’ por i marrë në zotërim nga vet shtetet për të bërë realitet ato që në Procesin e Berlinit mbetën deklarata.

“Kjo nismë ka qenë e domosdoshme kohë më parë. Kur e kuptuam shumë shpejt se Procesi i Berlinit ishte i destinuar të kthehej në një proces samitesh e deklaratash pa pasojë të drejtpërdrejtë, zbatimin e atyre që thuash. Ballkani i Hapur ka një vizion qind për qind të Procesit të Berlinit, një kornisë qind për qind të atij Procesi dhe një set kriteresh të njëjta. Ballkani i Hapur është Procesi i Berlinit por i marrë në zotërim nga vet ne për të bërë realitet ato që në Proces të Berlinit mbetën në kuadër të deklaratave. Nuk është proces personash”, ka thënë Rama.

Rama gjatë fjalimit të tij ka folur edhe për raportet Kosovë- Serbi. Ai ka thënë se kërkimfalja e Serbisë për krimet e bëra në Kosovë, duhet të ndodhë në fund të marrëveshjes.

“Ballkani i Hapur nuk interferon në dialogun e domosdoshëm mes Kosovës e Serbisë, por e lehtëson atë. E bën atë që ka bërë një proces i ngjashëm pas Luftës së Dytë Botërore mes Gjermanisë e Francës. Keni dëgjuar që shpesh thuhet se Serbia duhet të kërkojë falje. Unë jam dakord që duhet të kërkojë falje. Kërkimi i faljes nga Serbia është kapaku që i duhet vënë përfundimisht një dialogu që duhet zgjidhur gjitha çështjet e duhet të japë zgjidhje njohjes së Kosovës nga Serbia. Por ku dalloj unë me ata që më vënë përpara faljen duke thënë sesa tradhëtar jam. Falja vjen në fund dhe nuk mund të vijë në fillim. Nuk ka ardhur kërkim falja e Gjermanisë në vitin 1945, por më 1969. Gjermania e Franca e kanë filluar saktësisht siç po ndodh në Ballkan të Hapur. Me marrëveshje ekonomike, traktatin e qymyrit e çelikut, shkëmbimin e njerëzve, të rinjve e kështu me radhë. Në këtë mënyrë krijohet atmosfrë tjetër dhe komunikim që krijon procesi”, tha Rama.