Lajme

“Oligarku” Saimir Mane në bisedime për blerjen e bankës së tretë më të madhe në Kosovë

04/18/2022 12:56
nga:Gazeta Blic

Saimir Mane, biznesmen nga Shqipëria, të cilit mediet e atjeshme i referohen edhe si “Oligark”, është në bisedime për të blerë njërën nga tri bankat më të mëdha në Kosovë.

Banka të cilin “oligarku” Mane po synon ta merr në kontroll në Kosovë, është njëri nga investimet më të mëdha evropiane në Kosovë.

Tashmë ky investim i madh evropian, siç merr vesh Gazeta Blic ka gjasa që të përfundoj në duart e një biznesmeni nga Shqipëria, duke dërguar një sinjal shtesë të dëmshëm se investitorët e huaj po largohen nga vendi.

Sektori bankar i Kosovës, i ndërtuar nën mbikëqyrjen e FMN-së dhe amerikanëve ka qenë ndër më të sigurtit në rajon ndaj dukurive negative financiare, përfshirë këtu shpëlarjen e parave. Këto dukuri janë mbikëqyre në detaje nga Banka Qendrore e Kosovës dhe organet tjera kompetente si Njësia për Inteligjencë Financiare dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

Pak me ndryshe duket të jetë Shqipëria, ku informaliteti i lartë në ekonomi dhe i bizneseve nuk i ka shpëtuar as sektori financiar dhe ai bankar.

Largimi i investitorëve evropian dhe zëvendësimi i tyre me ata rajonal, shton rrezikun se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe në Kosovë.

Momentalisht në Kosovë, tri banka shqiptare kanë marrë licenca operimi.

Ndryshe, Saimir Mane në Kosovë njihet edhe si pronari i “Ferronikelit”, gjigantit industrial për përpunimin e niklit në Drenas.

Mirëpo, nga fundi i vitit të kaluar rreth 1 mijë punëtorë kanë mbetur pa punë, për faktin se menaxhmenti i “Ferronikelit” dhe pronari i saj, Saimir Mane duke u thirrur në krizën energjetike, kanë marrë vendim që ta mbyllin përkohësisht fabrikën.

Punëtorët disa herë edhe kanë protestuar, por kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh as nga institucionet qendrorë të Kosovës, përfshirë qeverinë.

Saimir Mane njihet si një ndër personat më të pasur në Shqipëri e ku shpesh herë është vënë në dyshim prejardhje e pasurisë së tij.

Mane njihet po ashtu edhe si njeri i afërt me të gjitha partitë në pushtet dhe opozitë në Shqipëri e Kosovë.