Sporti

Nuk ka pësuar gol në tri ndeshje, Flamur Gashi: I lumtur për këtë fakt, tek Malisheva jemi ekip tepër i bashkuar

11/06/2023 15:20
nga:Lorik J

Skuadra e Malishevës po kalon formë të mirë në Superligën e Kosovës këtë stinor dhe momentalisht ndodhet në pozitën e katërt në tabelë.

Në tri ndeshjet e fundit ndaj Fushë Kosovës, Prishtinës dhe Feronikelit 74′, ekipi i Malishevës ka mbajtur portën e paprekur, duke treguar formën e mirë në pjesën defansive.

Portieri i Malishevës, Flamur Gashi ka potencuar se fakti që nuk po pranojnë gola po e motivon dhe tani duan ta mbajnë ritmin edhe në vazhdimësi.

“Vet fakti që nuk kemi pranuar gol në ndeshjet e fundit është diçka e mirë për mua dhe gjithë ekipin tim. Siç dihet Malisheva në dy sezonet e fundit, por edhe tani është shumë ofansive – por jemi duke punuar shumë në anën defansive dhe kjo vërehet shumë qartazi në tri ndeshjet e fundit dhe shpresojmë ta mbajmë këtë ritëm”, tha fillimisht Gashi për ‘GazetaBlic Sport’.

Gashi thotë se skuadra e tij ka potencial për më shumë se edicionet e kaluara në Superligë, teksa veçon faktin se janë tejet të bashkuar si skuadër.

“Çdo ekip mund të ketë ngritje dhe rënie të formës gjatë një sezoni, sepse kemi pas edhe disa mungesa në disa lojë dhe akoma kemi, por Malisheva ka mjaftueshem lojtarë si nga ana ofansive dhe ajo defansive, mua më gëzon fakti se kemi shum lojtarë të ri me pontencial dhe me respekt të madh. Jemi shumë të bashkuar, gjë që e sheh tek shumë pak ekipe, ne jemi shumë të bashkuar dhe gjithmonë i marrim vendimet bashkë për çdo gjë”

Sipas Gashit, Malisheva mund të kishte disa pikë më shumë në tabelë – por ai mbetet i kënaqur në këto 13 ndeshjet e para në Superligë.

“Malisheva në dy sezonet e fundit kishte objektiv mbetjen në superlig, por tani kemi disa objektiva. Besoj se me këtë grup që kemi ne mund t’i arrijmë objektivat e klubit edhe pse për mendimin tim kemi lëshuar disa pikë, në momente të koncentrimit – por perseri nuk jemi dhe keq”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport