Lajme

Mosanëtarësimi në KiE, Raci: Dështim nga Komiteti i Ministrave, padrejtësi ndaj Kosovës

05/18/2024 14:43
nga:N K

Analisiti politik Gazmir Raci, në një prononcim për GazetaBlic komentoi deklaratën e presidentës Osmani se anëtarësimi i Kosovës në KIE mbetet vetëm çështje kohe, duke thënë se zgjidhja duhet të jetë politike dhe se Kosovës i është humbur një mundësi e madhe nga ministrat e punëve të jashtme.

Sipas tij, ata ia mohuan Kosovës të drejtën për t’u bërë anëtare në Këshillin e Evropës si dhe të drejtën e qasjes në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

“Nëse bllokada ishte politike atëherë edhe zgjidhja duhet të jetë politike, në kuptimin që ministrat e punëve të jashtme janë ministra politik edhe ata kurdo që të shohin të arsyeshme mund të thërrasin një takim tjetër urgjent për me adresu. Por ata e humbën një shans të rëndësishëm në raport me Kosovën, ata ia mohuan Kosovës të drejtat për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës, ia mohuan qytetarëve të Kosovës qasjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë dhe është fatëkeqësi kjo që ndodhi prej anës tyre”, deklaroi ai.

Tutje ai veprimin e ministrave të jashtëm e quan si të kundërt në raport me frymën parlamentare të Asamblesë të Këshillit të Evropës.

“Është parë deklarimi i deputetëve gjermanë dhe parlamenteve tjera evropiane që janë pjesë e Këshillit të Evropës. Ministrat e jashtëm kanë votu në kundërshtim me frymën e parlamentarve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që është gabim, dhe po besojë që historikisht kjo ka me u evidentu si një dështim i ministrave politikë të punëve të jashtme në Këshill të Evropës në raport me Kosovën”, përfundoi analisti politik Gazmir Raci.