Lajme

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare: BE na befasoi me prolongim për masat, ky është qëllimi i saj – Lajçak i njëanshëm

07/20/2023 20:56
nga:G B

Kosova pranoi hapat për deeskalim të situatës në veri, por Bashkimi Evropian ende nuk ka nisur procedurat për heqjen e masave të vendosura ndaj shtetit të Kosovës.

E, për këtë, kryenegociatori i dialogut me Serbinë, Besnik Bislimi, është shprehur i habitur.

Lidhur me këtë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, thotë për Gazeta Blic se masat e BE-së ishte të paarsyeshme dhe se nëpërmjet këtyre masave u kuptua pafytyrësia e zyrtarëve evropianë karshi Kosovës.

“Masat e vendosura nga ana e Unionit Europian ndaj Kosovës, në tërësinë dhe përmbajtjen e tyre ishin dhe mbeten plotësisht të paarsyeshme, por nëpërmjet këtyre masave përkatësisht vendim-marrjes për masa të propozuara nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, njëherësh edhe zëvendës president i Komisionit të UE-së, Josep Borrell, dhe të aprovuara me konsensus nga Këshilli Europian, duhet kuptuar saktë buzëqeshjet e hidhura para kamerave të zyrtarëve të UE-së, dhe pafytyrësinë që shpërfaqin karshi zyrtarëve tanë shtetëror dhe qytetarëve të Kosovës kur duhet nisur procedurat për heqjen e tyre, e sërish na befasojnë me prolongimin pa sqarim!, përkundër se Prishtina zyrtare tashmë ka bërë hapat fillestar të kërkuara me insistim nga UE-ja”, vlerëson Pula.

Ai vlerëson se këto masa kanë qëllim presionin për ndryshim qëndrimesh e rrethanash që t’u shërbejnë BE-së.

“Masat e vendosura nga UE-ja në rastin tonë, kanë për efekt presionin për ndryshim qëndrimesh e për rrjedhojë edhe krijim rrethanash të cilat u shërbejnë kërkesave të UE-së, por, ashtu siç është ndjekur procedura e vendosjes ashtu duhet ndjekur procedurën edhe të heqjes së tyre. Lidhur me këtë, edhe zyrtarët shtetëror janë shprehur të brengosur për qasjen selektive dhe të anshmërisë së Sllovakut Lajçak në këtë proces”, vlerëson njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare për Gazeta Blic.

Ai hedh dyshime për punën e Lajçak si emisar dhe anshmërinë e tij në dialog, që thotë se krijon brengë.

“Duke e njohur të kaluarën e sllovakut Lajçak gjatë angazhimit të tij më parë në rajon; dhe mungesën e pa anshmërisë tani në rolin e tij si emisar për dialogun Kosovë-Serbi, krijon jo vetëm brengë por edhe dyshime lidhur me përmbushjen e përgjegjësive që ka si emisar. Andaj, qytetarët e Kosovës por edhe zyrtarët shtetëror, nuk duhet të kenë pritshmëri për aq sa edhe padrejtësisht u vendosën ato masa”, deklaron Shqiprim Pula./Gazeta Blic/

Bajqinovci i përgjigjet opozitës: Për ta rrëzuar Qeverinë e fituar zgjedhjet duhet mobilizuar qytetarët – kemi mbështetjen e tyre të fortë