Lajme

Baraliu për ngërçin në Kuvend- ‘Presidentja por edhe një grup deputetësh mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese’

05/27/2025 17:13
nga:Y I

Sot ka dështuar për herë të 22-të të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka hedhur sërish në votim për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, i cili s’pati kourum.

Albulena Haxhiu vazhdon të jetë propozim i VV-së për kryeparlamentare edhe pse deri tani nuk i ka siguruar votat e nevojshme.

Në lidhje me krizën në Kuvend dhe ngërçin institucional ka folur për “Gazeta Blic”, profesori universitar njëherësh njohës i Kushtetutës së Kosovës, Mazllum Baraliu.

Baraliu tha se një vendim i Gjykatës Kushtetuese i 2014 ka lënë vakuum të padefinuar, çështjen e afatit të arsyeshëm brenda të cilit do të duhej të konstituohej Kuvendi.

“Eshtë një vendim i Gjykatës Kushtetuese i 2014 që ka lënë vakuum të padefinuar, çështjen e afatit të arsyeshëm brenda të cilit do të duhej të konstituohej Kuvendi, gjegjësisht të zgjidhej fillimisht kryetari, prandaj këtë vakum po e shfrytëzojnë partitë politike nga të dyja krahët dhe po e luajnë lojën e tyre të një ‘cirku klasik absurd të teatrit’ në parlament” tha Baraliu.

Baraliu potencoi se Presidentja por edhe një grup deputetësh mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje.

“Mundet Presidentja në radhë të parë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe ajo e ka për detyrë që të kujdeset për mbarvajtjen e funksionit të punës dhe veprimtarisë së institucioneve të pavarura dhe institucioneve të vendit, dhe ajo do të duhej, munden naturisht edhe një grup deputetësh.” tha Baraliu për “Gazeta Blic”

Mazllum Baraliu, Njohës i çështjeve Kushtetuese!

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, deklaroi javë më parë se mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse vazhdon zvarritja në Kuvend.

“Diskutimi ka qenë me respekt të ndërsjellë dhe konstruktiv, ndoshta për shkak të përvojës së gjatë, kam parë lloj-lloj takimesh, ky nuk ka qenë i tillë. Tymi i bardë del vetëm kur kemi konstituim të Kuvendit. Disponim minimal e thashë në kontekstin që vullnet ka tek të gjithë liderët për të gjetur zgjidhje, dhe për të dëgjuar edhe ide të reja. Dërgimin në Gjykatë Kushtetuese e kemi diskutuar për herën e parë, shpresa ka qenë që Kuvendi konstituohet më shpejt, e jo që kemi nevojë të vimë deri këtu”, tha Osmani javë më parë raporton “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/