Njohësi i çështjeve ekonomike, Arton Muhaxheri, ka deklaruar për GazetaBlic se Kosova po kalon periudhën më të rëndë ekonomike që nga paslufta, si pasojë e problemeve të importuara dhe keqmenaxhimit të krizave nga Qeveria e Kosovës.
Ai ka kritikuar vendimin për pagën e 13-të në sektorin publik, duke thënë se ajo nuk e mbulon dështimin në menaxhimin e ekonomisë dhe nuk mund të shërbejë si “blerje e heshtjes sociale”.
“Kosova po kalon periudhën më të rëndë ekonomike që nga paslufta, si pasojë e problemeve të importuara, por edhe për shkak të keqmenaxhimit të krizave nga Qeveria e Kosovës. Paga e 13-të për sektorin publik nuk e mbulon dështimin në menaxhimin e krizave në ekonomi dhe as nuk mund ta blejë heshtjen sociale në Kosovë”, tha ai.
Sipas tij, ky vendim rëndon sektorin privat, i cili është taksapaguesi kryesor, ndërsa thekson se qeveria nuk e trajton biznesin si partner.
“Paradoksi i kësaj situate është se Qeveria ka marrë vendim për pagën e 13-të në kurriz të punëtorëve të sektorit privat, të cilët janë taksapaguesit më të mëdhenj të buxhetit të shtetit – si punonjës, ashtu edhe si biznese”, shtoi ai.
“Një organizim më i mirë i sektorit privat mund t’i bëjë presion Qeverisë që ajo të realizojë edhe pagën e 13-të për këtë sektor, edhe pse gjasat janë të vogla, kur dihet se Qeveria e Kosovës bizneset dhe sektorin privat nuk i sheh si aleatë, por si armiq”, përfundon Muhaxheri për GazetaBlic.
“Vendi shkon automatikisht në zgjedhje nëse nuk respektohet afati kushtetuese për presidentin”


