Lajme

“Vendi shkon automatikisht në zgjedhje nëse nuk respektohet afati kushtetuese për presidentin”

04/13/2026 19:07
nga:Genita C

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani ka deklaruar se, nëse nuk respektohen afatet kushtetuese dhe nëse vazhdojnë obstruksionet nga Lëvizja Vetëvendosje, procesi i zgjedhjes së presidentit mund të bllokohet dhe vendi mund të shkojë automatikisht në zgjedhje, me kusht që të mos pengohet procedura para fillimit të votimeve.

Sipas tij, një skenar i tillë do të mund të mbante procesin të pezulluar, duke e lënë vendin as në zgjedhje parlamentare dhe as në zgjedhjen e presidentit, çka do të krijonte një situatë të zgjatur institucionale.

“Automatikisht shkohet në zgjedhje, me kusht që të mos ketë më obstruksione nga VV për të ndalur procedurën para se të fillojë raundi i parë i votimit apo raundet tjera. Qëllimi mund të jetë i mbrapshtë, duke vepruar sërish njëjtë dhe duke e lënë procesin pezull: as në zgjedhje, as në zgjedhje të presidentit. Prej tyre mund të pritet gjithçka, por jo “hajër”. Pra, obstruksionet janë alternativë e tyre si VV”, thotë ai.

Burjani thekson se në raste të tilla ushtruesja e detyrës së presidentit mund të qëndrojë në detyrë deri në gjashtë muaj.

“Për këtë arsye, ushtruesja e detyrës së presidentit mund të mbetet në pozitë deri në gjashtë muaj”

Ai shton se, sipas tij, është humbur serioziteti politik në trajtimin e këtyre çështjeve, duke e cilësuar zvarritjen e proceseve si blerje kohe dhe përdorim politik të krizave, përfshirë edhe ankesat në Gjykatën Kushtetuese.

Burjani gjithashtu kritikon praktikat e qeverisë për, siç thotë ai, masa sociale si ndihmat për lehona dhe pensionistë, duke i cilësuar si pjesë e kalkulimeve politike.

“Ka humbur edhe serioziteti politik të merret me këto obstruksione. Ankesat e mëhershme në Gjykatën Kushtetuese normalisht ishin për të blerë kohë dhe për të shtyrë afatet, por asgjë tjetër, sepse edhe ata si VV e kanë ditur se s’ka zgjidhje të problemit, por vetëm blerje kohe dhe zhvillim të lojës së viktimës para elektoratit. Në anën tjetër, kanë filluar “bakshishet” e qeverisë për lehona, pensionerë e kush e di çka tjetër, apo siç ishte paga e 13-të, më mirë se rritja e pagës, e cila mund të kishte implikime më të mëdha”, tha ai për GazetaBlic.