Ish kryetari i Pejës, Ali Berisha, është kandidat i AAK-së për kryetar të kësaj komune.
Ai ka qenë mjek i UÇK-së gjatë kohës së luftës, pjesë për të cilën nuk flet shumë.
Mirëpo, gjatë një interviste për Gazeta Blic, nuk mund të mos ndaleshim pak te ajo kohë.
Berisha shprehet i nderuar që ka qenë pjesë e asaj kohe të lavdishme, si përgjegjës për shëndetësi në Zonën e Dukagjinit.
Ai tregon se ka mjekuar shumë prej heronjve të mëdhenj të kombit, si Shkëlzen Haradinaj, Agron Rama, Mujë Krasniqi e të tjerë.
Përpos nder, ai thotë se ka qenë detyrë e të gjithëve që të marrin pjesë në atë luftë për liri.
“Pjesa më e lavdishme e popullit tonë është lufta e UÇK-së, pjesë shumë e rëndësishme, pjesë ku ka pasur shumë sakrificë, shumë mundim por edhe shumë lavdi dhe në atë periudhë kam pasur nderin që kam qenë pjesë e UÇK-së, në pozicionin e përgjegjësit për shëndetësi në Zonën e Dukagjinit, gjithmonë krah komandantëve tonë, në shërimin e shumë të plagosurve, kam pasur nderin, kam pasur një privilegj të jashtëzakonshëm që kam pasur pacient herontjë tonë më të mëdhenj të luftës tonë për liri, duke filluar prej Shkëlzenit, e shumë dëshmorëve, heronjve tjerë, Shkëlzen Haradinajt, Agron Ramës, Mujë Krasniqit dhe shumë të tjerë të cilët gjatë luftës kam pasur rastin t’i trajtoj dhe shumë të tjerë që sot janë gjallë dhe gjithmonë mbaj respektin dhe nderin më të madh për ta. Të jesh pjesë e UÇK-së është nderi më i madh por unë jo shpesh e potencoj këtë çështje sepse e konsideroj si detyrë që e kemi pasur të gjithë, edhe unë në aspektin profesional pasi që me profesion jam doktor dhe kam pasur nderin të jem ndihmesë e tyre, duke qenë gjithmonë afër komandantëve tanë më të mëdhenj”, ka thënë Ali Berisha./Gazeta Blic/


