Lajme

“Misioni” i dështuar i Miroslav Lajçak, 4 vjet ‘shëtitje’ e dështim

02/04/2024 16:23
nga:Gazeta Blic

Ish- ministri i jashtëm slovak, Miroslav Lajcak, në shkurt të vitit 2020 e kishte marrë një mision tepër të rëndësishëm. Diplomati i njohur evropian ishte emëruar me shumë pompozitet si përfaqsues i Posacëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta Blic.

Pritjet ishin tepër të mëdha nga Brukseli zyrtar. Lajcak u vlerësua si njeriu i duhur për t’i “dhënë fund” problemit Kosovë- Serbi.

Mirëpo, tash kur kanë kaluar katër vjet nga fillimi i atij “misioni”- realiteti është e kundërta e pritjeve fillestare.

Sulmi terrorist që Serbia e organizoi në veri të vendit- gjegjësisht në Bajnskë, ku u mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, shihet si kryedështimi i Lajcakut dhe shefit të tij- Joseph Borell.

Lajcak, i cili shumë shpejt mund ta përfundoj mandatin dhe të largohet nga ky “mision”, për shkak se në Bashkimin Evropian pritet të mbahen zgjedhjet e reja, po vlerësohet se ka dështuar keq në këtë post ‘special’.

Nga Qeveria Kurti herë u livdua e herë u kritikua ashpër.

Kurti fillimisht kishte fjalë tepër të mira për Lajcakun, mirëpo muaj më parë ai e ka goditur ashpër diplomatin slovak, me akuzën se po ia mbante anën Serbisë në procesin e dialogut,

E, dikush nga Kosova që shumë gjatë ka qenë në krye të dialogut me Serbinë po vlerëson se Lajcak tashmë është shkarkuar nga roli i ndërmjetësit.

Është ish- kryengociatorja kosovare, Edita Tahiri që po thotë se pas sulmit në Banjskë është shkarkuar Lajcaku.

Ajo për emisionin dokumentar “Expose”, thotë se pas këtij sulmi dialogu kaloi në ndërmjetësimin e treshes së madhe Scholtz, Macron dhe Meloni.

Sipas saj, edhe Lajcak edhe Borell kanë qenë ndërmjetës të njëanshëm dhe që kanë anuar nga Serbia.

Emisioni dokumentar “Expose”, që transmetohet sonte nga ora 21:30 në Kanal 10 dhe live në Youtube e trajton rolin e Lajçak në dialogun Kosvë- Serbi.