Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka komentuar mesazhin e presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me angazhimin e tij për çështjen mes Kosovës e Serbisë.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se deklarata e Trump meriton vlerësim dhe vëmendje nga ana jonë.
“Padyshim bota po kalon nëpër turbulenca të mëdha, mes luftërave dhe krizave politike në mbarë globin. Te secila nga këto luftëra e kriza politike, ShBA-ja është e involvuar, ku më pak e ku më tepër, si superfuqi globale dhe njëherësh garantuese e shumë proceseve. Te statusi i tij në platformën “Truth” presidenti Donald Trump, kishte përmendur disa raste, e në atë mes edhe Kosovën përkatësisht çështjen politike ende të papërfunduar ndërmjet Kosovës e Serbisë. Gatishmëria e ShBA-ve për pozicionime në situata të reja gjeopolitike duke i adresuar dhe trajtuar temat komplekse për dhënie zgjidhje, meriton vlerësim dhe vëmendje njëkohësisht nga ana jonë”, thotë ai.
Sipas Pulës, Serbia vazhdon ta kontestojë ekzistencën e Kosovës Republikë dhe asnjëherë nuk ka marrë përgjegjësi për luftërat dhe shkatërrimet që ka bërë.
“Natyrisht, nuk jetojmë më në rrethanat e viteve më parë, ngase ka evoluim temash e ndryshim gjendjesh në realitetin tonë, në raport me Serbinë, megjithatë, rajoni ynë mbetet ende i papërfunduar politikisht për aq kohë sa fqinjët gjeografik na e kontestojnë ekzistencën e Republikës, e për më keq edhe na e luftojnë subjektivitetin. Fatkeqësisht, Serbia asnjëherë nuk ka marrë përgjegjësitë e saja historikisht për luftërat e shkaktuara dhe shkatërrimet që ka shkaktuara si në popullatë ashtu në ekonomi. ShBA-ja pa dilemë vlerësohet nga ne si shtet aleat, mbështetës në luftën tonë për çlirim dhe përpjekjen për shtet ndërtim, për këtë, u jemi mirënjohës e falënderues, por, një pritje nga ne qëndron te qasja e presidentit Donald Trump në zgjidhjen politike marrë nga konteksti historik dhe referencë të opinionit ligjor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (Korrik, 2010)”, ka vlerësuar ai për Gazeta Blic.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare vlerëson se Trump do t’i ketë dy mundësi para vetes.
“Presidenti Donald Trump do t’i ketë para vetes dy mundësi – ose do ta bëjë heshturazi zjarrvënësin duke mos ofruar Pakt Paqe duke u kufizuar sërish me zotimet e 4 shtatorit 2020 si mundësi ekonomike, ose do ta bëjë zjarrfikësin dhe do të plasojë idenë e zgjidhjes së përhershme politike me një Pakt Paqe. Për këtë mundësi, presidenti Donald Trump do të ishte mirë të këshillohej nga këshilltarë që e njohin problemin shqiptaro-serbë në thelb dhe t’i propozonte si zgjidhje reference Paktet e Paqes ndërmjet Sllovenisë dhe Serbisë (Jugosllavisë) e vitit 1991 dhe atë ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë e vitit 1996; shembuj këta të cilat e kanë përfshirë paqen e përhershme, njohjen e ndërsjellë, pajtimin e popujve, dëmshpërblimin e dëmeve, dënimin e krimeve për t’u arritur normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Po ashtu, kjo, do ta ndihmonte çështjen shqiptare në Evropën Juglindore. E kundërta, do të nënkuptohej mbështetja e një procesi tashmë të Sovietizuar siç e ka lejuar Unioni Evropian”, ka deklaruar Shqiprim Pula./Gazeta Blic/
Ish deputetja e AAK-së për deklaratën e Trump: Qeveria të reflektojë, dëmtoi raportet me SHBA-të


