Lajme

Meliza Haradinaj: Kërcënimi i Martyt nuk është befasues, por qëndrimi i tij pas gënjeshtrave për trafikim organesh

04/12/2022 08:27
nga:Genita C

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, e ka parë të çuditshme qëndrimin e politikanit zviceran, Dick Marty, karshi akuzave për trafikim organesh ndaj ish-krerëve të UÇK-së, për të cilat thotë se “janë të mbushura me gënjeshtra bizare serbe”.

Ish-kryediplomatja kosovare këto deklarime i ka bërë në llogarinë zyrtare të saj në ‘Twitter’, teksa ka shtuar se nuk është habi kërcënimi i tij nga agjencia e inteligjencës së Serbisë.

“Konfirmimi nga vetë #DickMarty se #Inteligjenca Serbe po planifikonte ekzekutimin e tij për të fajësuar #Kosovën- #Shqiptarët NUK është befasuese”, ka shkruar ajo.

“Fakti tronditës është se si vetë #Marty vazhdon të qëndrojë pas gënjeshtrave të çuditshme të nxitura nga #serbët të raportit të tij famëkeq të ‘trafikimit të organeve’!”, përfundon Haradinaj-Stublla.