Lajme

Maqedoni: Rritet numri i divorceve

06/16/2024 19:36
nga:Sh R

Çdo e shtata martesë në Maqedoninë e Veriut përfundon me divorc. Vitet e fundit numri i çifteve të divorcuara është rritur në mënyrë dramatike dhe çdo vit ky numër është më shumë se 2,000, që është një rritje e trefishtë në krahasim me një periudhë prej tri dekadash më parë.

“Mesatarja është diku rreth 14,000 martesa, dy mijë e gjysmë martesa të divorcuara. Pra, çdo e shtata martesë shkurorëzohet, por potenciali për rritje të numrit të martesave të divorcuara në Maqedoni është i madh. Pres një rritje të këtij numri edhe në periudhën e ardhshme”, tha Dejan Mickoviq, profesor i së Drejtës Familjare dhe Trashëgimore, transmeton alsat, përcjell albinfo.ch.

Duke ndryshuar rrethanat shoqërore, propozohet gjithashtu të përpilohet kodi civil, i cili do të mbulojë edhe marrëdhëniet juridike familjare.

“Do të kemi një reformë serioze të ushtrimit të të drejtave prindërore pas divorcit. Dhe, si në vendet e tjera evropiane, ne do të prezantojmë një model të prindërimit të ndarë. Prindërimi i ndarë do të thotë që prindërit, edhe pas divorcit të martesës, do të kenë të drejta dhe detyrime të barabarta ndaj fëmijëve dhe do të ushtrojnë bashkërisht të drejtat prindërore me marrëveshje të ndërsjellë”, shtoi ai.

Ka ende zgjidhje ligjore të vjetra në vend, thonë profesorët.

“Ne kemi nevojë për reforma në legjislacionin tonë, veçanërisht në të drejtën private. Harrohet e drejta civile, nëse e shikon, të gjithë i përmbahen së drejtës publike për sferën publike në lidhje me korrupsionin, prokurorinë, gjyqësorin. Por harrohen qytetarët dhe individët. Prandaj, ajo që shteti dhe qeveria e re duhet të bëjnë është t’u drejtohen qytetarëve, dhe pas 13 vjetësh të miratojnë kodin civil të Maqedonisë që rregullon marrëdhëniet e qytetarëve nga lindja e tyre deri në vdekje”, u shpreh Angjel Ristov-Profesor.

Krahasuar me mesataren evropiane, numri i divorceve në Maqedoninë e Veriut është ende i ulët. Në BE, sipas të dhënave të Eurostat, vitin e kaluar janë lidhur 2 milionë martesa dhe gjysma e tyre janë divorcuar.