Lajme

Maqedonci: Strukturat serbe të sigurisë po i mbështesin grupet terroriste me qëllim destablizimin e Kosovës dhe Ballkanit

05/06/2024 14:38
nga:G C

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, në kuadër të margjinave të Forumit Defense24 ka zhvilluar një takim me homologun e tij polak, Wladyslaq Kosiniak – Kamysz.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Maqedonci ka thënë se ka informuar ministrin polak për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, ku ndër të tjera ka shprehur shqetësimin e tij për militarizmin e Serbisë dhe 48 bazat e ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe të vendosura përgjatë vijës kufitare me Kosovën.

Sipas tij, grupet terroriste po mbështeten nga strukturat e sigurisë së shtetit të Serbisë.

“Ministrin Kamysz e informova rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, gjersa shpreha dhe shqetësimin tim për militarizimin e Serbisë dhe 48 bazat e ushtrisë dhe gjandarmërisë serbe të vendosura përgjatë vijës kufitare me Kosovën, e gjithashtu dyshimin e bazuar me rastin e sulmit në Banjskë që grupet terroriste po mbështeten nga strukturat e sigurisë të shtetit të Serbisë me qëllim për të shkaktuar destabilizimin e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi”, shkroi ai.

Tutje Maqedonci ka theksuar që Kosova do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e pakursyer për Ukrainën brenda kapaciteteve shtetërore.