Lajme

Maqedonci: Me dronët Bayraktar, Kosova është më e fortë ndaj kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale

05/31/2024 21:32
nga:Y I

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, vlerëson se me dronët Bayraktar në inventarin e sistemeve të armatimit, Kosova është më e fortë dhe ndjehet më e sigurtë përballë kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale.

Maqedonci i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari kanë vëzhguar nga afër operimet me dronët Bayraktar në Aeroportin e Gjakovës.

“Për t’i vëzhguar nga afër operimet me dronët Bayraktar të kryera nga oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkë me Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, e vizituam njësinë SAPP në Aeroportin e Gjakovës. Aty u njohëm me opercionalizimet e kapaciteteteve të fluturakeve Bayraktar TB-2, të demonstruara nga oficerët e njësisë Sisteme Ajrore Pa Pilot (SAPP)”, shkroi Maqedonci.

I pari i Mbrojtjes, theksoi se do të vazhdojnë edhe më tutje ta pajisim ushtrinë me sisteme armatimi moderne dhe të sofistikuara, në shërbim të mbrojtjes dhe të sigurisë së Kosovës dhe për ta ruajtur paqen në vend dhe rajon.

“Me oficerët dhe ushtarakët e mirëtrajnuar dhe të përkushtuar të ushtrisë tonë dhe me dronët Bayraktar në inventarin e sistemeve tona të armatimit, Kosova është më e fortë dhe ndjehet më e sigurtë përballë kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale dhe eventuale”.