Lajme

Maliqi: Prishtina, Mitrovica dhe Fushë Kosova në garë të fortë, Prizreni dhe Peja do të qeverisen nga kryetarët aktual

10/14/2025 18:40
nga:N K

Të dielën e 12 tetorit u mbajtën zgjedhjet lokale, ku votuesit në Kosovë votuan për kryetarët e komunave dhe kandidatët për asambletë komunale.

Lidhur me rezultatet e zgjedhjeve, për GazetaBlic ka folur analistja politike, Afërdita Maliqi.

Sipas saj, gara më e fortë do të jetë në Komunën e Prishtinës, Mitrovicës dhe në Fushë Kosovë, ndërsa Prizreni dhe Peja, edhe pse në balotazh, mund të udhëheqen përsëri nga kryetarët aktualë, Shaqir Totaj dhe Gazmend Muhaxheri.

“Meqenese një numër i madh i komunave kanë shkuar në balotazh, mbetet të shihet se cilat komuna do ngelen sërish në menaxhimin e partive që kanë qenë më herët. Gara më e fortë do të jetë në Prishtinë, Mitrovicë dhe në Fushë Kosovë, ndërkohë që Prizreni e Peja edhe pse janë në balotazh kam përshtypje që do të qeverisen nga kryetarët aktualë”.

Tutje, Maliqi është shprehur se rezultatet e zgjedhjeve kanë qenë të pritshme e jo të befasishme, përveç disa ku PDK e LDK, nuk arritën të ruajnë pozitën që kanë pasur në zgjedhje të kaluara.

“Në anën tjetër, rezultati zgjedhor në të shumtën e komunave ka qenë i pritshëm me përjashtim të disave, ku partitë nuk kanë mund të ruajnë bastionet që i kanē pasur, si PDK e LDK.”

“E rëndësishme që pas një fushate 30 ditë dhe ditës së zgjedhjeve, Kosova edhe njëherë tregoi një kulturë të lartë demokratike, duke përfundu një proces zgjedhor të qetë dhe demokratik”- përfundoi Maliqi për GazetaBlic.