Lajme

Lushtaku pas parlajmërimit të Kurtit se do të miratohet Ligji që lejon martesat e gjinisë së njëjtë: Ka manipuluar besimtarët mysliman

04/27/2024 16:48
nga:N K

Deputeti i PDK-së Mergim Lushtaku, duke komentuar deklaratën e kryeministrit se shpejt pritet të miratohet projekligji për Kodin Civil, ku lejohen martesat e personave të së njëjtës gjiini, tha se Kurti ka manipuluar besimtarët myslimanë.

“Albin Kurti në një anë ka manipuluar dhe ka marrë votat e besimtarëve myslimanë, në anë tjetër bjen në kundërshtim dhe nuk e mbështet largimin e rregullores për kodin e veshjes në shkollën e mesme. Poashtu ai u jep dhuratë besimtarëve që kanë mbështetë këtë kod civil që lejon martesën e gjinisë së njëjtë”, deklaroi ai.

Tutje ai tha se Kurti qëllim të vetëm ka të përfitojë nën ndikimin ndërkombëtar të LGBT-së.

“Nuk është që e ka dert Kurti çështjen e besimtarëve myslimanë e as çështjen e LGBT-së, por në këtë fazë çfare është duke ditë rëndësinë e imazhit, se çfarë ndikimi kanë globi i LGBT-së në mbarë botën, kalkulon të përfitojë në ndikim e tyre ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Tutje Lushtaku tha se pavarësisht kritikave nga populli, Kurti këtë e bën vetëm për interesa partiake.

“Këtë e bën më shumë vetëm për interesa partiake edhe pse është i kritikuar nga shumica e popullit, për arsye se nuk është kusht që të ketë një mbështetje qe të ndryshohet kodi civil për të arritur ndonjë marrëveshje ndërkombetare”, tha ai.

I pyetur se a do ta mbështesë këtë projekligj, Lushtaku tha se është pro vetëm për martesat mes burrit dhe gruas.

“Unë qysh nga fillimi i mandati gjithmonë kam qenë pro familjes, jam pro martesës mes burrit dhe gruas, dhe derisa kodi civil aktual vjen si propozim që të ketë martesë mes gjinisë së njëjtë sigurisht që nuk e mbështesë”, përfundoi Mërgim Lushtaku.

Kurti ka paralajmëruar se shumë shpejt do të miratohet Kodi Civil.

Ai është zotuar se do t’i bëjë votat për miratimin e këtij ligji në Kuvend.