Sporti

Lindon Emërllahu: Nuk e kam pritur që do të debutojë kaq shpejtë, ishte ndjenjë e veçantë – duartrokitjet më japin motiv

09/28/2022 09:56
nga:Lorik J

Ishte senzacion me Ballkanin në garat evropiane dhe me shumë meritë mori ftesën nga kombëtarja e Kosovës. Bëhet fjalë për Lindon Emërllahun, futbollistin 19 vjeçar i cili dje realizoi ëndrrën e tij duke debutuar me “Dardanët”, në ballafaqimin ndaj Qipros, që e fituam me rezultatin e thellë 5:1.

Selektori i Kosovës, Alain Giresse vendosi që të aktivizojë Ilir Krasniqin dhe Lindon Emërllahun në minutat e fundit, duke gëzuar lojtarët dhe të gjithë të pranishmit në stadium, pasi tashmë ka mundësi edhe për lojtarët që vijnë nga Superliga e Kosovës.

Vetë futbollisti, Lindon Emërllahu e pranon se debutimi me kombëtaren e Kosovës ishte një ndjenjë shumë e veçantë për të.

“Po është ndjenjë e veçantë pasi që po luajë për shtetin kur ja lindur dhe jam rritur”, tha fillimisht Lindon Emërllahu për ‘GazetaBlic Sport’.

Më pas mesfushori shumë i talentuar potencoi se nuk e kishte pritur kaq shpejtë debutimin, teksa u shpreh i lumtur me pritjen fantastike që iu bë gjatë kohës kur u aktivizua në fushë.

“Nuk e kam pritur që do të debutojë kaq shpejtë, por ja që erdhi momenti dhe hyra. Isha i gatshem për çdo moment. Normal është ndjesi e mirë kur të duartroket i gjithë stadiumi, kjo të jep motiv shumë për të bërë më të mirën në fushë”, përfundoi ai.

Lindon Emërllahu është një nga lojtarët kyç të Ballkanit në këtë sezon, pasi me paraqitjet e tij ka fituar vendin e titullarit dhe zemrat e shumë tifozëve të futbollit vendor.

/GazetaBlic Sport