Lajme

Letra e Kurtit për Gjykatën Speciale, Syla: Askush s’ka dëgjuar për të

11/05/2025 22:16
nga:G B

Gazmend Syla nga OVL e UÇK në ”Click” të RTV21 ka hedhur dyshime mbi letrën që, sipas zyrtarëve qeveritarë, Kurti i ka dërguar Gjykatës Speciale.

Sipas Sylës, askush nga zyrtarët ndërkombëtarë nuk ka qenë në dijeni të një komunikimi të tillë, ndërsa publikimi i letrës pikërisht tani, sipas tij, është i motivuar politikisht.

“Është e çuditshme si ide – pse duhet të komunikoni fshehurazi apo ‘ilegalisht’ me Gjykatën Speciale? Këto gjëra janë publike. Në të gjitha takimet që i kemi pasur, gjithçka e kemi bërë me miratimin dhe transparencën e tyre.
Ideja e Kurtit që paska shkruar atë letër, e që po e publikon sot, është shumë tendencioze dhe e kuptojmë se është vetëm për efekte elektorale. Kurti asnjëherë, moralisht, nuk i ka mbështetur protestat që i kemi organizuar ne. Me përgjegjësi të plotë e them se asnjë zyrtar ndërkombëtar nuk na ka thënë ndonjëherë se ka pasur edhe një palë tjetër të interesuar për t’u dërguar shqetësime të ngjashme te Gjykata Speciale. Ju betohem – ata na kanë thënë se ne kemi qenë të vetmit që kemi shkuar me kërkesa konkrete. Për një gjë të tillë jam e sigurt, sepse po të ekzistonte ajo letër, ndonjëri prej tyre do të kishte thënë se janë në dijeni”, tha Syla.