Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vazhduar të ngris shqetësimet rreth skandalit të punësimeve në KEK.
Sipas zëdhënëses politike të LDK-së, Sibel Halimi, tashmë kanë kaluar katërmbëdhjetë ditë prej skandalit të punësimeve në KEK, ku nga një konkurs skandaloz përfituan 128 persona, pjesa dërmuese të afërm e familjarë të komisionit si dhe militant partiak, ndërsa plotë 4500 aplikantë të tjerë presin drejtësinë që ta thotë fjalën e saj.
“Deri më tash, konkursi i KEK-ut nuk është anuluar, si dhe nuk ka ndodhur asnjë shkarkim e suspendim i zyrtarëve udhëheqës në KEK, përfshirë edhe komisionin vlerësues”, tha Halimi.
“Përgjegjësit vazhdojnë të heshtin, ngase Qeveria hesht, ndaj dhe bordi i KEK-ut hesht, e normalisht që edhe komisioni i konkursit hesht. Heshtja thyhet vetëm nëse Qeveria e shkarkon bordin, e anulohet konkursi, ndërsa anëtarët e komisionit dalin para përgjegjësisë”, tha Halimi.
Ajo, ndër të tjera, tha se do t’i përdorin të gjitha mjetet institucionale e juridike për të kërkuar drejtësi për të gjithë ata të cilët nuk janë pranuar për të vetmen arsye sepse nuk kishin përkatësi partiake.
Kujtojmë se LDK përpos reagimeve të shumta rreth skandalit të punësimit në KEK, para disa dite ka deponuar edhe padi në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.



